Deputeti i opozitës, Redi Muçi zhvilloi një interpelancë me ministrin e mjedisit, Sofjan Japuaj për investimin në Zvërnec, duke u ndalur tek zona e mbrojtur. Njëjtë si Zhupa, edhe Muçi tha se ligji për zonat e mbrojtura u ndryshua për t’iu hapur rrugë zhvillimeve të tilla.

Muçi tha se rrethimi i zonës me gardh e bën të pamundur lëvizjen e faunës. Sipas tij, shtrimi i rrugëve të reja të kalimit me mjete në brendësi të dunave ranore kërkon vlerësim paraprak, pasi mbulon habitate natyrore me rëndësi europiane.

“Dëgjuam përgjigje për Liqenin e Shkodrës, kur hallin e kemi për Zvërnecin. Nga ndryshimet që i keni bërë ligjit për zonat e mbrojtura, para ndryshimeve specifikohej që ato që quheshin nënzona qendrore kishin një status të veçantë. Pavarësisht nëse zona e mbrojtur ishte e kategorisë së parë apo të pestë, brenda saj përcaktoheshin nënzonat qendrore të nivelit A dhe B. Dhe këtu kam ligjin. Ndalohej ndërtimi i çdo lloji, ndërtimi i objekteve çlodhëse dhe sportive, lëvizja me mjete motorike të çdo lloji, me përjashtim të makinave të administratës, si dhe shfrytëzimi i tokës me teknologji intensive.

Në vitin 2024 i fshitë të gjitha këto përcaktime dhe latë vetëm disa gjëra estetike, si ndalimi i ndezjes së zjarreve dhe gjuetisë, të cilat nuk e pengojnë marshimin drejt zhvillimit që keni planifikuar. Ata kolegë që i kanë propozuar ndryshimet e vitit 2024, sot duhet të fshihen nga turpi. Në vitin 2024 ne ishim në shesh duke protestuar. Turp ju qoftë! Këtë gjë s’kemi pse e themi ne, e thotë mbarë populli. Propozimi im është që duhet të japin dorëheqjen një orë e më parë.

Ka kaluar më shumë se një muaj që kur aktivistët vunë alarmin për dëmet në mjedis. U bënë 12 ditë dhe ende sot që flasim, lejet e zhvillimit nuk janë zbardhur. Kompania në fjalë ka marrë dy leje zhvillimi për ndërtimin e resortit, në janar dhe në prill, nga KKTU-ja, por lejet nuk janë zbardhur ende.

Kjo është bandë hajdutësh. Rrethimi i zonës me gardh e bën të pamundur lëvizjen e faunës. Po kryhen punime brenda një zone të mbrojtur dhe brenda rrethimit ndodhen dy monumente natyre. Shtrimi i rrugëve të reja të kalimit me mjete në brendësi të dunave ranore kërkon vlerësim paraprak, pasi mbulon habitate natyrore me rëndësi europiane. Dunat janë sheshuar, janë hequr sipërfaqe pyjore për të krijuar kantierin, është hedhur çakull për të krijuar sheshe brenda kantierit. Shqetësimi përmes zhurmës nga makineritë e rënda ndikon në biodiversitet. Këto shqetësime i di ministri i Mjedisit, sepse nëse nuk i di, për çfarë je ministër Mjedisi? Çfarë ruan ti? Nëse nuk e di ti çfarë po ndodh, pse ke nën urdhrat e tu agjenci për ruajtjen e mjedisit? Keni thënë se rrethimi me tel me gjemba është bërë në pronë private me studime gjeologjike. E kishin çuar telin me gjemba brenda në det. Edhe bregu, edh erëra, edhe deti na qenkan pronë private dhe për këta vendos kreu i KTTU, Edi Rama”, tha Muçi.


Lajmi kryesor:

Interpelanca/ Jaupaj: Qeveria Rama rriti në 21% zonat e mbrojtura, për Zvërnecin kemi kërkuar nivelin më të lartë të studimit mjedisor! Opozita: Ligji u ndryshua qëllimisht