Kryeministri Edi Rama vijon të sjellë shembuj suksesi të investimeve që janë bërë në zona të mbrojtura nëpër botë, për të gjithë ata që janë kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec. Përmes rrjeteve sociale, kreu i qeverisë sjell rastin e ligatinës Camargue, në Francë, për të cilën thotë se është "një parajsë e biodiversitetit. Por njëkohësisht edhe një motor ekonomik".
Rama thotë se "Franca nuk e mbrojti Camargue duke e mbajtur qytetërimin larg saj", por "e mbrojti duke e bërë të vlefshme për qytetërimin e saj".
"Duke kuptuar se natyra nuk është domosdoshmërisht kundërshtare e zhvillimit. Madje ndonjëherë ajo është vetë zhvillimi",- thekson Rama.
Një përgjigje kreu i Ekzekutivit e pati edhe për protestuesit që mosdakordësinë e tyre për ndërtimin e resortit në Zvërnec, e shprehin me fyerje.
"Merruni me mua sa të doni, se mua vetëm shëndet dhe vullnet më bëhen sharjet e mallkimet tuaja, po boll e ndotët tërë mexhelisin shqipfolës të rrjeteve sociale me fjalorin tuaj me 40 fjalë ku 20 janë sharje e pisllëk",- shkruan Rama
Postimi i plotë i Edi Ramës:
Dy llafe si fillim për revolucionarët që hyjnë këtu dhe nëpër faqet sociale të kujtdo që mendon ndryshe prej tyre. Meqë nuk bashkojnë dot katër fjali bashkë për të formuar një koncept e kompensojnë boshllëkun me fjali bërtitëse, ku spikasin sharjet dhe thirrjet njërrokëshe:
Lërini ambientalistët e vërtetë në punën e në të drejtën e tyre të protestës, lërini mbrojtësit dhe dashamirët e vërtetë të natyrës në punën e në të drejtën e tyre të protestës, lërini në të drejtën e tyre edhe qytetarët e shqetësuar, po patjetër lërini në rehatin dhe ngjyrën e tyre edhe flamingot, e mos ua bëni puplat bojëkafe me llumin e gjuhës së rrugës!
Merruni me mua sa të doni, se mua vetëm shëndet dhe vullnet më bëhen sharjet e mallkimet tuaja, po boll e ndotët tërë mexhelisin shqipfolës të rrjeteve sociale me fjalorin tuaj me 40 fjalë ku 20 janë sharje e pisllëk!
Dhe tani një shembull tjetër
Kur flitet për ligatina, laguna dhe zona të mbrojtura, shpesh krijohet përshtypja sikur mënyra e vetme për t’i mbrojtur është t’i shkëpusësh nga jeta ekonomike.
Por Camargue në Francë tregon një histori krejt tjetër.
E vendosur në deltën e lumit Rhône, Camargue është një nga ligatinat më të rëndësishme të Europës. Një peizazh i jashtëzakonshëm me laguna, këneta, dunat bregdetare, kripore, flamingo rozë, kuajt e bardhë të famshëm të Camargue dhe qindra lloje shpendësh.
Një parajsë e biodiversitetit. Por njëkohësisht edhe një motor ekonomik.
Sot Camargue është një destinacion ndërkombëtar me hotele butikë, restorante, marina, turizëm natyror, kalërim, vëzhgim shpendësh, prodhim tradicional të kripës dhe një ekonomi lokale që jeton pikërisht falë peizazhit që ka ruajtur.
Franca nuk e mbrojti Camargue duke e mbajtur qytetërimin larg saj.
E mbrojti duke e bërë të vlefshme për qytetërimin e saj.
Duke kuptuar se natyra nuk është domosdoshmërisht kundërshtare e zhvillimit. Madje ndonjëherë ajo është vetë zhvillimi.
Prandaj sot flamingot janë ende aty.
Lagunat janë ende aty.
Biodiversiteti është ende aty.
Prandaj pyetja nuk është nëse natyra dhe ekonomia mund të bashkëjetojnë.
Pyetja është nëse kemi vizionin për ta kthyer natyrën në një aset të ekonomisë.
Sepse kur peizazhi bëhet pjesë e modelit ekonomik, njerëzit nuk janë më indiferentë dhe shpesh shkatërrues e ndotës të tij.
Kanë interes ta mbrojnë.
Dhe ky është mësimi i vërtetë i Camargue: Nuk zgjodhi mes natyrës dhe zhvillimit, por se gjeti mënyrën që të dyja të fitojnë bashkë.
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një video në rrjetet sociale, e cila tregon pamje nga një avion të flamengove që largohen drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut.
Rama ka shkruar se video është e realizuar me Inteligjencë Artificiale, gjë që sipas tij tregon se sa lehtë mund të manipulohet opinioni publik, përmes këtyre pamjeve.
Kryeministri theksoi se që të realizosh të tilla video për të manipuluar opinionin publik, duket t’i marrësh njerëzit për idiotë, pasi sipas Ramës, projekti në Zvërnec nuk është realizuar ende, që të trembë flamengot dhe t’i bëjë të largohen nga vendi.
Postimi i Ramës:
Tani o duhet të jesh idiot o duhet t’i marrësh njerëzit për idiotë, që të sajosh të tilla idiotësira me Inteligjencë Artificiale dhe t’ua tregosh njerëzve për të vërteta të kobshme, se jo për gjë, po me këto pamje i bie që flamingot po ikin nga sytë këmbët prej zhurmës tuaj jo prej projektit se projekt s’ka akoma dhe s’ka arritur akoma teknologjia t’i bëjë zogjtë të ndjeshëm ndaj projekteve që s’kanë ndodhur

Në vijim të reagimeve ndaj kundërshtarëve të projektit turistik në Zvërnec, kryeministri Edi Rama publikoi të dielën një tjetër postim në rrjetet sociale, ku kësaj here solli shembullin e Bahamasit të largët për të mbrojtur idenë se natyra dhe turizmi i nivelit të lartë mund të bashkëjetojnë shumë mirë me njëra tjetrën.
Rama theksoi se flamingot në destinacionet turistike nuk konsiderohen pengesë për zhvillimin, por pjesë e identitetit dhe atraksionit të tyre. Duke iu referuar flamingove të Vlorës dhe zonës së Zvërnecit, ai tha se sfida nuk është zgjedhja mes natyrës dhe investimeve, por ndërtimi i një modeli ku të dyja të forcojnë njëra-tjetrën.
Kryeministri përmendi gjithashtu markat ndërkombëtare të hotelerisë luksoze që sipas tij janë pjesë e projektit në Zvërnec, ndërsa e mbylli reagimin ndaj kundërshtarëve të investimit, duke deklaruar se “budallallëku që e ka mbajtur Shqipërinë peng 100 vjet, s’ka për ta ndalur dot” rrugën e zhvillimit të vendit.
Postimi i plotë i Ramës në Facebook
"FLAMINGOT MES PAQES SË BAHAMASIT DHE SHERRIT TË TIRANËS
Në Nassau të Bahamasit, një nga resortet më të famshme dhe më luksoze të Karaibeve, Baha Mar, flamingot nuk konsiderohen problem.
Përkundrazi. Janë simboli i destinacionit. Janë pjesë e identitetit të vendit, pjesë e eksperiencës turistike, pjesë e imazhit me të cilin Bahamasi prezantohet paqësor e mikpritës para botës.
Qindramijëra turistë fotografohen me flamingot çdo vit. Resortet organizojnë aktivitete rreth tyre. Fëmijët mësojnë për ta. Vizitorët vijnë nga larg edhe sa për t’i parë.
Askush nuk pyet më nëse flamingot mund të bashkëjetojnë me turizmin. Pyetja është si të zhvillohet më tej turizmi në mënyrë që flamingot të mbeten gjithnjë aty.
Sepse në ekonominë moderne natyra nuk është armike e zhvillimit. Është pjesë e zhvillimit. Flamingot nuk janë një problem për zhvillimin. Janë një privilegj.
Janë një pasuri që shumë vende turistike do jepnin shumëçka që ta kishin, për ta kthyer në burim mirëqenieje.
Sfida jonë nuk është të zgjedhim mes flamingove dhe turizmit. Sfida jonë është të ndërtojmë një model ku flamingot, laguna, pylli, plazhi dhe turizmi i cilësisë së lartë të forcojnë njëri-tjetrin.
Sepse në fund, askush nuk udhëton mijëra kilometra për të parë atë që gjen më afër. Njerëzit udhëtojnë për të parë atë që është unike.
Dhe për Shqipërinë e shumë gjërave unike, një nga gjërat më unike janë pikërisht flamingot e Vlorës dhe bukuria e rrallë e Zvërnecit.
Madje ka edhe një detaj domethënës. Në Baha Mar, një nga markat kryesore të projektit është Roseëood Baha Mar, një nga emrat më prestigjiozë të hotelerisë luksoze në botë. E njëjta markë është gjithashtu në dosjen e investitorëve të projektit të Zvërnecit.
Ndërkohë që në Zvërnec do të jenë të pranishme edhe disa nga markat më të njohura globale të mikpritjes së nivelit ultra-luks, nga Cheval Blanc te Mandarin Oriental, e deri te Atlantis Resorts, marka që kontribuoi në transformimin e Dubait në destinacionin numër një turistik të Gjirit Arabik dhe që tani ka pranuar të vijë për herë të parë në Europë, në Vlorë, pasi e ka refuzuar gjithnjë ardhjen në kontinentin e vjetër.
Kjo nuk do të thotë se Shqipëria duhet apo do të bëhet Bahamasi. Aspak. Megjithë respektin për atë vend, Shqipëria ka shumë më shumë potenciale.
Kjo do të thotë se Shqipëria ka mundësinë të ëndërrojë fort dhe të ndërtojë një model spektakolar të sajin, ku natyra nuk izolohet nga zhvillimi, por bëhet arsyeja pse zhvillimi ka vlerë.
Shkurt fjala, në jo pak nga destinacionet më të suksesshme turistike të botës, flamingot janë pjesë e suksesit të tyre.
Prandaj: BUDALLALLËKU QË E KA MBAJTUR SHQIPËRINË PENG 100 VJET, S’KA PËR TA NDALUR DOT TË VAZHDOJË RRUGËN E NISUR PËR TA FUTUR KËTË VEND NË LIGËN E KAMPIONËVE TË TURIZMIT BOTËROR"
Komente









Edhe ne Aruba ka flamingo po sja mban goja ta thote
PërgjigjuGazeta shqiptarja.com eshte kthyer ne shtyteset kryesore te protestave,Ku ka mbetur qejfi valle apo ka gelltitur nanje luge corbe te tharte e po e vjell tani.Eshte bere shtytese e talibanizmit shqiptar te mos besimit e frymes te urejtjes e per te luftuar cdo gje te re e te bukur qe kerkohet te ndertohet ne shqiperi,Keshtu u be kur do ndertohej stadiumi,sheshi skenderbej e me radhe
Përgjigjupo pse e linde Zahon ne Austri Wien kur ne i kemi spitalet dhe maternitet [ lluksoze ] qe na ka zili gjith bota ! Kurr mos bofsh hajer ti dhe familja jote o ALI BABA me 40 hajdut Çet Kastrati Samir Mane Salillari Dulaku Bashkim Mulaj Carapuli Gon Papuli Bekteshi Gecaj Gjergj Luca Sadri Abazi
Përgjigjumos krahaso gjera qe nuk krahasohen komandant. mos ngaterro kekun me byrekun. ti nuk je ai qe ben nga ato projekte si ne France. Ti je ai bashke me Saliun qe ben masakra si ajo e Palases, prandaj njerezit nuk kane besim te "dritelargesia" jote ...
Përgjigju