Për të 12-tën ditë radhazi, qytetarët që kundërshtojnë ndërtimin e resortit luksoz në Zvërnec u mblodhën sërish në Tiranë për të vijuar protestat e tyre.

Tubimi nisi në Sheshin Skënderbej, ku protestuesit u grumbulluan dhe marshuan drejt godinës së Kryeministrisë. Përveç kërkesës për ndalimin e projektit në Zvërnec, ata kërkojën edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin nga skena të establishmentit aktual.

“Ne jemi makthi i tyre, prej 12 ditësh i ka kapur frika. Ne duam një sistem të ri. Pa rini nuk ka Shqipëri”, tha një protestues.

"Edi Rama jep dorëheqjen, sepse janë këta të rinj emigrantë që kanë studiuar nëpër shkolla të botës dhe mund ta qeverisin më mirë se ti. Një Shqipëri të bukur, të lirë, pa korrupsion. Merr shokët dhe zhdukuni, me atë tjetrin që keni 35 vite",- tha një protestuese.

Një nga momentet simbolike të protestës u shënua para Kryeministrisë, ku u vendosën pesë karrige bosh me mbishkrime si "Ikur në Greqi", "Ikur në SHBA", "Ikur në Kanada" dhe destinacione të tjera të emigracionit shqiptar.

Lajm në përditësim..

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:05
Rrëfimi i trishtë i protestueses para Kryeministrisë: Jam rritur jetime, politikanët s’e dinë ç’do të thotë të flesh me barkun bosh

1781201166_xftyyyyi.JPG

Një vajzë, e cila ishte pjesë e protestës para Kryeministrisë, rrëfeu historinë e trishtë të vuajtjeve të saj dhe familjes së saj, për shkak të pamundësive ekonomike në Shqipëri.

Duke folur për emigrimin masiv të shqiptarëve, ajo tha se nënat shqiptare po vdesin me sytë nga dera për të parë fëmijët e tyre.

“Jam rritur jetime, pa babain. Më rriti nëna, politikanët nuk e dinë çdo të thotë të flesh me barkun bosh. Na keni vjedhur ëndrrat, jetën, prindërit. Ky popull meriton të jetojë me dinjitet në tokën e vetë. Meriton të përfaqësohet nga burra dhe gra të ndershëm. Ne jemi këtu për çdo nënë që vdiq me sytë nga dera. Betohem para zotit që nuk ka më heshtje dhe gjunjëzim. Shqipëria dhe e ardhmja është e jona. Ne u ngopëm me varfëri ju do ngopeni me drejtësi”, tha një qytetare nga protesta.

Ora 19:59
Qytetarja rrëfen historinë e trishtë nga protesta: Babai im i ka humbur të dyja këmbët, ka kryer 26 operacione! Asnjë mbështetje nga shteti, të gjitha paratë po i lemë spitaleve

1781200815_dtcyupp.JPG

Një protestuese ka treguar historinë e vështirë të saj dhe të familjes së saj, në protestën qytetare që po zhvillohet para godinës së Kryeministrisë, kundër investimit në Zvërnec të Vlorës.

Gjatë fjalës së saj ajo tha se i ati i saj, i cili ka humbur të dyja këmbët, është operuar 26 herë dhe shteti ka pranuar të mbulojë vetëm një operacion të tijin.

Ajo tha se teksa kishin shkuar në një spital në Turqi për të bërë një operacion të të atit, ai pësoi një trombozë. Sipas protestueses, në Shqipëri drejtësia nuk lejonte që ajo të bënte denoncim kundër spitalit në Turqi, pasi sipas saj, ai spital ishte i lidhur me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.

“Unë kam 17 vite që punoj dhe të gjitha shpendimet tona, të miat dhe vëllait tim, kanë shkuar për fatura spitalesh. Babai im është operuar mbi 26 herë. Në momentin që flasim, ai ka humbur të dyja këmbët. Shteti vetëm një operacion të tij ka pranuar dhe për të gjitha të tjerat thonë që nuk mund t’i bëjmë, nuk kemi mjetet. Dhe i fundit ishte që ne na u desh të shkonim në Turqi. Ata bënë një gabim dhe ai trompozë në avion. Pasi u kthyem këtu, as drejtësia jonë nuk lejonte që unë të bëja denoncim për spitalin në Turqi, sepse spitali në Turqi qenka i dhënë drejt Erdoganit. Doja të flisja për këtë histori, për të thënë që ne duhet të çoheni, pavarësisht se jemi një brez që sot s’kemi asgjë në vijë”, tha protestuesja.

Ora 19:35
‘Zvërneci’/ Aktori Mehdi Malkaj nga protesta: Himni Kombëtar i Shqipërisë është përdhunuar! Fëmijët në shkolla nuk i mësojnë për atdhedashurinë

1781199370_WhatsAppImage20260611at19.26.54.jpeg

Aktori Mehdi Malkaj edhe sot i është bashkuar protestës së qytetarëve para godinës së Kryeministrisë, që kundërshtojnë investimin në Zvërnec të Vlorës.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Malkaj tha se himni kombëtar shqiptar është përdhunuar gjatë këtyre viteve.

Ai tha se fëmijët në shkollë nuk po mësohen për çështje që kanë të bëjmë me atdhetarizmin.

“Tungjatjeta të gjithëve. Nuk vdes njeriu kur thotë ndonjë fjalë të mirë, si fjala ‘ju kam xhan të gjithëve’. Unë tani kam një dëshirë, që dua që kush e ka në dorë të ma plotësojë. Miq të dashur, ai që është përdhunuar më shumë në këtë mes, është himni kombëtar. Fëmijët venë në shkollë dhe nuk u thonë mësuesit çfarë është ky. Ta këndojmë këtu himnin kombëtar të gjithë sa jemi”, tha aktori Mehdi Malkaj.

Ora 19:35
'Klika berishiste na torturoi dhe na përndoqi', Vlonjati nga Amerika rikthen kujtimet e 1997-ës: Na përzunë nga vendi ynë

Në fjalën e tij në protestën e 12-të para kryeministrisë, një emigrant vlonjat i ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës solli në kujtesë momentet e errëta të 1997-ës kur klika berishiste persekutoi dhe dëboi njerëzit nga vendi. Ai tha se ngjarjet e 1997-ës nuk duhet të përsëriten por nga ana tjetër bëri thirrje për apel për mos braktisje të protestës.

"Para 31 vitesh e nisa protestën në Vlorë. Kemi lënë gjakun, ccdo gjë në Vlorë. Jemi torturuar nga klika berishiste. Protesta jonë u vodh nga këta që janë sot. Filluan persekutimeve dhe dëbimët. Shtëpinë time ma kanë bombarduar me granada. Në 1998, djali më peshonte 1.8 kg. E mbështolli mirë gruaja dhe u nisëm drejt Adriatikut për të bërë një jetë ndryshe. Na dëbuan padrejtësisht. Kam qenë punonjës policie dhe nuk më dhanë mundësi të rrisja fëmijët në qytetin e Vlorës. Pasi i rritëm fëmijët andej me dashuri për gjuhën shqipe. Sot pas 30 vitesh ne ndodhemi në të njëjtën situatë. Protesta në të gjithë vendin. Ne dolëm në shesh në Vlorë 2 ditë më parë. Nuk duhet të ëprsëritet 97-a. Ne sduhet ta lëmë protestën e mos të biem pre e askujt.  Ditën që do vijmë nga Vlora në Tiranë do të vijmë në këmbë. Ose do të realizojmë qëllimin ose do jemi të vdekur. Sillni sa më shumë njerëz në protestë. Ai frikacaku që është këtu nuk ka besë" tha ai. 

Ora 19:27
Aktivistja nga protesta para Kryeministrisë: Ka ardhur koha për një Shqipëri të Re, po lind një kulturë e re politike

Aktivistja Alida Karakushi, duke folur nga protesta që po zhvillohet para Kryeministrisë, tha se ka ardhur koha për një Shqipëri të re dhe sipas saj, po lind një kulturë e re politike.

“Ka ardhur koha për një Shqipëri të re. Në një kohë kur cinizmi dukej se kishte fituar mbi shpresën, rrugët dhe sheshet po mbushen sërish, jo me militantë partish, jo me njerëz të sjellë me autobus, jo me turma që presin një lider, por me qytetarë. Ky është revolucioni i vërtetë. Po lind një kulturë e re politike. Kjo protestë, ky revolucion, është një thirrje se Shqipëria nuk është pronë e askujt”, është shprehur aktivistja.

Ora 19:26
Protestuesja para Kryeministrisë thirrje Ramës: Zhduku bashkë me spiunat dhe komunistët e tu! S’ka burrë nëne me na tërheq

Një protestuese nga bulevardi para Kryeministrisë ka kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe të gjithë atyre që ajo i quajti spiunë dhe komunistë, që mbështesin kryeministrin.

“Ne jemi këtu dhe s’ka burrë nëne me na tërheq ne. Ik zhduku bashkë me spiunat dhe komunistat e tu. Zhduku sa më parë”, tha një qytetare.

Ora 19:19
Protesta para kryeministrisë, protestuesi: Kjo nuk është më çështja e flamingove apo e Zvërnecit, por e së drejtës sonë për t'u dëgjuar

Në ditën e 12-të të protestës një protestues tha se protesta nisi fillimisht për Zvërnecin e flamingot, por tani nuk po bëhet vetëm për këtë çështje.

“11 ditë më parë kjo nisi si revolucioni i flamingove. Kjo nuk është më çështja e flamingove, e Zvërnecit apo e Nartës, kjo është çështja e të drejtës sonë për t'u dëgjuar. Kjo është çështja e Shqipërisë që duam t’i lëmë fëmijëve tanë. Lufta për të mbrojtur natyrën është një luftë që nuk mbaron kurrë. Këtu jemi për të mbrojtur krenarinë. Është beteja e fundit për të mbrojtur identitetin tonë. Nuk do të ndalemi", tha ai

Ora 19:14
Protestuesja thirrje Ramës: Jep dorëheqjen, të rinjtë e arsimuar jashtë mund ta qeverisin më mirë Shqipërinë

Një prej pjesëmarrëseve në protestën kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec ka bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se vendi ka nevojë për një brez të ri drejtuesish.

Gjatë fjalës së tij, protestuesja u shpreh se ka të rinj shqiptarë të arsimuar në universitetet më të mira jashtë vendit, të cilët, sipas saj, janë të aftë për të drejtuar vendin më mirë se klasa aktuale politike.

"Kam dy gjëra për të thënë: nëse vijnë emigrantët nga Italia dhe Gjermania, mos e sigurt. Kam kontaktet vetë. Dhe e dyta, Edi Rama jep dorëheqjen, sepse janë këta të rinj emigrantë që kanë studiuar nëpër shkolla të botës dhe mund ta qeverisin më mirë se ti. Një Shqipëri të bukur, të lirë, pa korrupsion. Merr shokët dhe zhdukuni, me atë tjetrin që keni 35 vite. Ti je aty me njerëz të paaftë, që kanë marrë diploma me kafe. Këta janë antishqiptarët më të mëdhenj që mund të ketë pasur ndonjëherë Shqipëria",- tha protestuesja.

Ora 19:07
Protestuesi para kryeministrisë: Ne jemi makthi i tyre prej 12 ditësh, i ka kapur frika

Para kryeministrisë kanë nisur fjalimet protestuesve për resortin në Zvërnec.

“Ne jemi makthi i tyre, prej 12 ditësh i ka kapur frika. Ne duam një sistem të ri. Pa rini nuk ka Shqipëri”, tha një protestues.

Ora 19:07
Qytetarja nga protesta para Kryeministrisë: Në Shqipëri s’ka shërbim mjekësor, punëtorët bien nga skelat dhe vdesin

1781197664_cgyuuu.JPG

Një protestuese nga bulevardi para godinës së Kryeministrisë deklaroi se në Shqipëri ka një regjim autukratik, që po përzë shqiptarët nga vendi.

Gjatë fjalës së saj, ajo tha se në datën 12 qershor, kur është edhe ditëlindja e PS, kryeministri Rama do të zhvillojë një antimiting, duke detyruar qytetarët që të marrin pjesë atje.

Ajo vijoi më tej duke thënë se në Shqipëri nuk ka siguri për punëtorët dhe në spitale nuk ofrohet shërbimi i duhur mjekësor.

Sipas protestueses, shqiptarët janë detyruar që 15-vjeç ta braktisin vendin dhe të bëhen kriminelë, për të mbijetuar.

“Rama ka paralajmëruar nesër një antimiting, ku pritet të marrin pjesë shqiptarë jo të lirë. Ne jemi këtu për t’i çliruar edhe ata që marrin pjesë atje nga një regjim autokratik, që kërcënon me bukën e gojës. Jam këtu për ata shokë e shoqë që i kriminalizuan që 15-vjeç dhe i përzunë rrugëve të Europës. Jam këtu për një Shqipëri të re, ku në momentin e parë që sëmuresh duhet të hapësh GoFound, sepse në spitale nuk të jepet shërbim. Jam këto mos të na bien më punëtorët nga skelat dhe të vdesin. Jemi këtu për të kërkuar hetim të kryeministrit Rama. Jam këtu për një Shqipëri të re, që nuk vendosin 5 oligarkë. Shqipëria është e jona, Shqipërinë e re do ta bëjmë të gjithë ne”, tha mes të tjerash një protestuese.

Ora 18:58
'Zvërneci', qytetarët e hapin protestën para kryeministrisë duke kënduar himnin kombëtar

Edhe këtë të enjte qytetarët po protestojnë para kryeministrisë për ‘Zvërnecin’.

Para se të nisin fjalimet ata kanë kënduar në kor himnin e flamurit kombëtar.

Ora 18:56
'Ikur në Greqi, SHBA, Kanada', protestuesit 'sqarojnë' pse janë bosh karriget e shqiptarëve para Kryeministrisë

Në protestën e 12-të që po zhvillohet në Tiranë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, para Kryeministrisë u vendosën pesë karrige bosh me mbishkrime si "Ikur në Greqi", "Ikur në SHBA", "Ikur në Kanada" dhe destinacione të tjera, formë kjo për të sjellë në vëmendje problemin e emigrimit masiv të shqiptarëve.