Protesta për Zvërnecin tashmë ka natyrë politike, tha Rama në festën e 35-vjetorit të PS, teksa tubuesit janë veç pak metra larg sheshit “Italia”. Ai bëri thirrje që kushdo ka si qëllim të mbrojë Shqipërinë, t’i bashkohet PS, teksa nuk kurseu fjalët për sjelljet e opozitës.
Për të rinjtë, tha se e vlerëson qëndrimin e tyre dhe është i hapur për të biseduar, teksa shtoi se ata kanë pastruar “zhulin e shoqatës së molotovarëve.”
“Nëse doni të mbroni vërtet Shqipërinë, mos ngatërroni drejtimin nga i vjen rreziku mjedisit, natyrës dhe Shqipërisë, por bashkojuni PS që ka nevojë për këdo që nuk bie dakord për çfarë nuk shkon, por që është gati t’i luftojë bashkë me ne gjërat për t’i bërë më mirë. Me ide, jo me britma, me propozime dhe me të ndenjurat ulur aty në punë, jo veç me video selfie dhe skërmitje, me Shqipërinë në zemër dhe mendjen në punë, jo Shqipërinë në gojë e smirë në zemër dhe hesape në mendje. Jam shumë i qartë që protesta është kthyer me natyrë politike, legjitime për këdo që do të ndryshojë Shqipërinë sipas qasjes së tij. Megjithëse në Vlorë e duan projektin dhe kanë hall se po u dëmtohet sezoni, forca të ndryshme hedhin në bulevard gurët dhe fshehin dorën. Njësoj si opozita këtu hedh kënetën e vet e deri te tabakatë që mbi taka, mbledhin ‘like’ duke ecur me pasqyrë përpara. Partitë e reja që u bënë të vjetra kërkojnë një copë aty në prurjen e re. Për të rejat dhe të rinjtë që besojnë vërtet se po bëjnë revolucion, kam simpati dhe jam i hapur të flasim, por mbetem mirëkuptues nëse nuk duan të flasin. Një gjë të jashtëzakonshme e kanë bërë, kanë pastruar zhulin e shoqatës së molotovarëve!”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
35-vjetori i PS, Rama: Shqipëria s’ka qenë kurrë në shitje, ejani verifikoni faktet! Projekti i Zvërnecit do ta kthejë në xhevahir të Mesdheut!






