Më 19 maj 2026 u zhvillua Konferenca Vjetore e 28-të e Qendrës së Mikrofinancës, me temë “Mikrofinanca në tranzicion: A është misioni në rrezik?”.

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve financiare, organizatave ndërkombëtare, rregullatorëve, shoqatave të sektorit nga rajoni, si dhe investitorë dhe ekspertë të mikrofinancës nga Evropa dhe rajoni.

Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, ishte e ftuar si folëse kryesore në hapjen e aktivitetit që trajtoi rolin e mikrofinancës në zhvillimin ekonomik dhe social, si dhe sfidat me të cilat përballet ky sektor, në një mjedis financiar dhe teknologjik në transformim.

Në fjalën e saj, Zëvendësguvernatorja Ahmetaj vlerësoi kontributin e rëndësishëm të sektorit të mikrofinancës në zgjerimin e përfshirjes financiare, mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla, veçanërisht të atyre nga shtresa dhe zona me akses më të kufizuar në shërbimet tradicionale bankare.

“Misioni primar i mikrofinancës është të jetë një alternativë e përballueshme dhe një mbështetje sociale për shtresat që kanë më tepër nevojë për një derë të hapur në sektorin financiar. Përtej dimensionit financiar, mikrofinanca duhet të kontribuojë në krijimin e mundësive për zhvillim, punësim dhe përfshirje ekonomike, duke ruajtur gjithmonë balancën mes objektivave tregtarë dhe përgjegjësisë sociale”, u shpreh ajo.

Duke folur për zhvillimet në Shqipëri, Zëvendësguvernatorja theksoi se Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë gjatë viteve të fundit një sërë masash rregullatore dhe mbikëqyrëse për forcimin e transparencës, mbrojtjen e konsumatorit dhe përmirësimin e cilësisë së kreditimit në sektorin jobankar dhe të mikrofinancës. Në këtë kuadër, ajo përmendi ndryshimet rregullatore të ndërmarra për forcimin e administrimit të rrezikut dhe transparencës ndaj klientit.

Zëvendësguvernatorja Ahmetaj theksoi se reputacioni dhe besimi publik mbeten elemente thelbësore për qëndrueshmërinë e industrisë së mikrofinancës. Ajo nënvizoi se, përtej kuadrit rregullator dhe zhvillimeve teknologjike, misioni kryesor i mikrofinancës duhet të mbetet ofrimi i një alternative të përballueshme dhe të përgjegjshme financiare për shtresat më në nevojë.

Në përfundim, ajo vlerësoi rolin e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare si një partner i rëndësishëm në modernizimin e sektorit, forcimin e dialogut profesional dhe mbështetjen e reformave rregullatore, duke shprehur besimin se industria do të vijojë të zhvillohet mbi baza më të forta transparence, profesionalizmi dhe përgjegjshmërie sociale.