LOZANE-  Pesë të burgosur, duke përfshirë edhe një prej anëtarëve të bandës “Pink Panthers”, si dhe një shqiptar, bënë një arratisje spektakolare nga një burg zviceran, duke përdorur armë për të kërcënuar gardianët, për të dalë më pas nga muret e burgut.

“Pesë të burgosurve, një francez, një shqiptar, një boshnjak, një kosovar, si dhe anëtari serb i bandës "Pink Panther", iu deshën vetëm pesë minuta kohë për t’ua arratisur”, thanë hetuesit.

Të martën paradite (14 maj), të burgosurit ishin në oborrin e burgut “Bois-Mermet”, në momentin kur tre bashkëpunëtorë të tyre nga jashtë, ngjitën me shkallë muret rrethues, dhe hodhën në oborr armë dhe pajisje të tjera. Bashkëpunëtorët ishin me maska dhe kapuçë.

Pasi u pajisën me armët e zjarrit, 5 të burgosurit, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, kërcënonin gardistët dhe të burgosurit e tjerë se do të përdornin armë dhe substanca irrituese.

Ndërkohë, një tjetër i burgosur u përpoq t’i ndiqte ata, por u arrit të ndalohej nga gardistët, para se të ngjiste shkallët.

Të arratisurit dhe bashkëpunëtorët e tyre u larguan nga vendngjarja me dy automjete.

"I gjithë operacioni, i cili ishte jashtëzakonisht i mirë-organizuar, zgjati më pak se pesë minuta", tha policia.

Shqiptari 34-vjeçar akuzohej për trafik të lëndës narkotike; 47-vjeçari francez vuante dënimin për grabitje, drogë dhe armëmbajtje; ndërsa 31-vjeçari nga Bosnja dhe 22-vjeçari nga Kosova, vuanin dënim për vjedhje.

Policia konfirmoi ndërkohë që, 45-vjeçari serb i përket bandës së njohur ndërkombëtare të krimit, “Pink Panther”.

Kjo bandë kishte grabitur në vitin 2012 stoli dhe orë me vlerë prej 1.3 milionë frangash në Lucern.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)