GJENEVË- Ka nisur Konferenca e Paqes “Gjeneva 2”, në Montreux të Zvicrës. Në konferencë do të bëhet hapja e negociatave të Paqes për Sirinë ku marrin pjesë përfaqësues nga 39 vende të botës, si Shtetet e Bashkuara të Amerikë, Vendet Europiane, Rusia, Kina, Arabia Saudite dhe vendet kryesore arabe, Australia, India, Indonezia, si edhe pjesëmarrës nga Vatikani.

Në qendër të bisedimeve të “Gjeneva 2”, do të jetë Paqja në Siri, për t’i dhënë një zgjidhje krizës siriane.
 
Gjithashtu marrin pjesë edhe delegacioni nga qeveria e Damaskut, si edhe të rebelëve filo-perëndimorë të Koalicionit kombëtar sirian dhe pa dyshim edhe përfaqësuesit e OKB-së.
 
Gjatë kësaj Konference, nuk do të merren në konsideratë negociatat për Iranin dhe për opozitat ekstremiste apo grupet e jihadistëve të lidhur me Al Qaeda-n.

KERRY: AL ASSAD NUK MUND TË JETË PJESË  E ASNJË QEVERIE  KALIMTARE

Në deklaratën e tij të hapjes, sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry tha se në asnjë mënyrë  nuk mundet që qeveria e Presidentit Assad të jetë pjesë e një qeverie të kalimtare.
 
"Presidenti Al Assad, forcat e të cilit janë akuzuar për abuzime të shumta, nuk mund të rifitojë legjimitetin për të qeverisur”, tha Kerry.
 
Deklarata e kerry-it ka marrë një kundërpërgjigje të menjëhershme nga ministri i Jashtëm sirian,
Valid al- Moallem , i cili tha prerë,  “Askush, zoti Kerry, askush nuk mund të jap dhe të tërheq legjimitetin e Presidentit , përveç sirianëve.”

KONFERENCA PËR SIRINË, QEVERIA DHE OPOZITA NË DISKUTIM

Sot pritet që të zhvillohet konferenca në Montreux të Zvicrës, e vlerësuar nga mediat e huaja si më seriozja, për gjetjen e një zgjidhjeje politike për konfliktin 3-vjeçar në Siri, nga i cili kanë vdekur 130 mijë persona dhe mijëra të tjerë janë zhvendosur jashtë vendit.
 
Kjo do të jetë hera e parë që qeveria siriane dhe opozita do të takohen ballë-për-ballë që prej fillimit të kryengritjes në vitin 2011 që zgjati deri në gusht të vitit të kaluar, 2013.
Sot, në ditën e parë do të ketë fjalime të mbi 40 ministrave të huaj në Montreux, Zvicër.
 
Ajo që pritet të ketë reagime më të forta ka të bëjë me të ardhen e Presidentit Bashar al Assad dhe akuzat për tortura sistematike dhe ekzekutime të mbi 10 mijë të burgosurish.
 
Ministri i Jashtëm sirian, Valid Muallem është cituar të ketë thënë për mediat siriane se,“çështjet e Presidentit dhe regjimit janë vijat e kuqe për ne dhe për popullin sirian. Askush nuk mund ta prekë Presidencën."
 
Ndërsa opozita, e kryesuar nga Koalicioni Kombëtar shprehet se ajo që ato presin është largimi i Presidentit Assad, ndryshimi i regjimit dhe mbajtjen e përgjegjësisë për të vrarët.
 
Konferenca do të fillojë në Montreux të Zvicrës të mërkurën për të vazhduar në Gjenevë 2 ditë më vonë.

Redaksia online
(e.sh/shqiptarja.com)