Zvicër, 16 vjet burg shqiptarit, vrau
gruan me 23 goditje me thikë

Zvicër, 16 vjet burg shqiptarit, vrau<br />gruan me 23 goditje me thikë
ZVICËR - Gjykata e Qarkut në Aarau në Zvicër ka dënuar me 16 vjet heqje lirie shqiptarin me origjinë nga Kosova, 62-vjeçar, për vrasjen e bashkëshortes, duke e goditur 23 herë me thikë.
 
Siç bën të ditur "Alb info", këtë të mërkurë është mbajtur seanca përmbyllëse e procesit gjyqësor kundër një shtetasi kosovar, i cili ka vrarë bashkëshorten, duke e goditur atë 23 herë me thikë. Vrasja ka ndodhur në muajin mars të vitit 2011, kur kosovari, sipas prokurorit, kishte "therur me gjakftohtësi“ bashkëshorten e tij.
 
Për këtë krim, të cilësuar si vrasje e rëndë, gjykata i ka shqiptuar 62-vjeçarit dënimin me 16 vjet heqje lirie. Prokurori ka kërkuar 18 vjet burg, ndërsa tri nga vajzat e vrasësit janë shprehur për burgim të përjetshëm të babait të tyre.
 
Në sallën e gjykimit në Aarau të mërkurën po qëndronin pesë nga shtatë fëmijët gjithsej të vrasësit. Tri vajzat e tij kanë kërkuar që babai i tyre, të lërë sallën, kur të merren ato në pyetje.
 
Ato nuk dëshironin të shihnin vrasësin e të ëmës. Për këtë arsye, katër vajzat janë marrë në pyetje veç e veç. Ato kanë deklaruar se në përgjithësi kemi qenë familje e mirë, por nëna nuk ka parë kurrë një ditë të bardhë, se babai kishte qenë xheloz etj”. Por vajzat kanë folur edhe për çaste të bukura me babanë e tyre.
 
Vajzat janë të një mendimi se nëna e tyre ka qenë grua e mirë, e ndershme. Ato kanë thënë se babai ka paralajmëruar vazhdimisht se do ta mbyste nënën e tyre. Por ato kurrë nuk e kishin besuar se ai vërtet do ta bënte këtë. Edhe pse në vitin 2007, tri nga vajzat dhe nëna e tyre tashmë e ndjerë ishin detyruar të strehoheshin në një shtëpi për mbrojtjen e gruas.
 
Megjithatë 60-vjeçari i imët, që nuk bie shumë në sy, e bëri krimin. Ai e ka vrarë bashkëshorten duke e goditur 23 herë me thikë. Vrasësi ka treguar në gjykatë një variant të ndryshëm rreth vrasjes, nga ai që ka treguar në marrjet e mëparshme në pyetje.

Në rrëfimin e fundit ai ka thënë se ai, rreth orës 8.45 kishte ardhur në shtëpi, kur bashkëshortja po qëronte patate, e vetme në kuzhinë. Pas një sherri me fjalë me të, ajo, sipas tij, e ka sulmuar. Pastaj ai ka parë vetëm zi para syve të tij. Ka humbur kontrollin dhe kur i është kthyer vetëdija ka parë se gruaja ishte e shtrirë në dysheme, e mbuluar nga gjaku. Pastaj ai ka bërtitur: “O Zot, e kam vrarë gruan time”. Menjëherë ka shkuar me automjet në polici ku, në orën 9.37 ai ka pranuar vrasjen, shkruan "Aargauer Zeitung".
 
Pyetjes së kryetarit të trupit gjykues, nëse e kishte rrahur shpesh gruan dhe nëse e kishte kërcënuar atë, ai i është përgjigjur: “Kurrë”.
 
Nga ana tjetër, prokurori në akuzën e tij e përshkruan vrasësin si një bashkëshort xheloz, i cili në vazhdimësi e akuzonte gruan e tij se po mbante lidhje me një burrë tjetër. Siç është parë gjatë hetimeve, ka qenë ai që ka pasur një lidhje seksuale me një afrikane shumë më të re se vetja.
 
Vetëm njëra nga katër vajzat e pranishme në sallën e gjyqit mban ende kontakte me të atin. Ajo madje e përqafon atë në sallë duke thënë: “Ai është dhe mbetet babai im. Ajo që ai ka bërë, nuk e ndryshon këtë lidhje”.
 
Në përmbyllje të procesit ngrihet në këmbë i akuzuari dhe lexon në një gjermanishte të pasigurt një fjalë të shkurtë para trupit gjykues: “Dëshiroj të kërkoj falje nga fëmijët e mi për atë që i kam bërë nënës së tyre. Unë pendohem dhe do të jem i penduar derisa të jem gjallë”, ka thënë ai.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)
 

 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Serie A/ Juventus dhe Roma ndahen në paqe, 0-0 në Torino! Udinese mposht Comon, Verona fiton në udhëtim

Serie A/ Juventus dhe Roma ndahen në paqe, 0-0 në Torino! Udinese mposht Comon, Verona fiton në udhëtim