Zv/kryeministri Braçe në 'Repolitix': Dy arsyet e vërteta pse u tërhoqëm nga koncesioni i rrugës Thumanë-Kashar

TIRANE-Zv/kryeministri Erion Braçe ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Repolitix’ të drejtuar nga Denis Minga në Report Tv përballë një paneli analistësh për sfidat e reja. Çështja e studentëve është më delikatja për momentin, teksa qeveria pak ditë më parë u tërhoq nga partneriteti publik privat për ndërtimin e rrugës rrugor Thumanë-Kashar, ndërsa ministrja e re theksoi se fondi i përcaktuar për këtë aks do të vendoset në funksion të "Paktit për Universitetin". Por zv/ kryeministri Erjon Braçe dha sonte në Repolitix dy arsye të tjera të ndërprerjes së kontratës. Ai u shpreh se “u tërhoqëm për dy arsye; e para se projekti ishte i shtrenjtë dhe e dyta se asnjë kompani nuk mund të gënjejë më qeverinë e Shqipërisë”.

Braçe sqaroi edhe çështjen e fondit që ishte përcaktuar për rrugën dhe që më pas u tha se do të shkojë për studentët. “Nuk ka fond. Hapësira fiskale që lë bosh, do të vihet në dispozicion” tha ai. Zv/ kryeministri ftoi studentët dhe pedagogët në dialog për të ndërtuar strategjinë e re për arsimin, ndërsa deklaratat e disave prej tyre i cilësoi si politike, pasi sikur tha ai, vijnë nga forumet e partive.  Përsa i përket marrëdhënies me Presidentin, Braçe tha se nuk duam krizë. Referuar debatit për emrin e kreut të ri të KLSH-së, ai e ftoi presidentin që të niste një proces dialogu.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:45
Protesta e opozitës e fortë? Braçe: Do të dalin me pushkë apo bomba? Qeveria ndryshohet vetëm me votë

Opozita ka paralajmëruar një protestë të fortë në 16 shkurt kundër kryeministrit Rama me qëllim largimin nga pushteti. Por Braçe u shpreh se pavarësisht asaj që thuhet, qeverisja ndryshohet vetëm me votë. “Janë në drejtën e tyre të protestojnë. Jemi vend i lirë, të gjithë kanë të drejtë të kundërshtojnë. Po thua që do të dalin me pushkë, bomba? Do të rrihen me grushte? I kemi parë edhe me pushkë edhe me tanke, por qeverisja ndryshohet me votë. Këtë histori që do të jetë protestë e fortë, do të ndodhë kështu apo ashtu, apo do të vijnë ata nga Mamurrasi me pushkë....Opozita ka të gjithë të drejtën e saj për të kundërshtuar qeverinë. Të jesh i bindur që pas protestës do të ndodhë habia në këtë vend...asgjë”tha ai.

Ora 22:42
Përplasja me presidentin për KLSH-në, Braçe: Nuk duam krizë, ja propozimi im

Mes qeverisë dhe presidencës në muajt e fundit ka pasur disa përplasje nga dekretet e ministrave te propozimet për postin e kryetarit të KLSH. Së fundmi, Meta propozoi këshilltarin e tij, Bahri Shaqiri, të cilin shumica paralajmëroi se do ta rrëzojë. Zv/ kryeministri Braçe ka një propozim për presidentin për zgjidhjen e ngërçit.

“Me presidentin nuk ka asnjë konflikt, nuk duam as krizë. Ne duam që marrëdhënia të udhëhiqet nga Kushtetuta. Kaq! Nëse të gjitha palët do ti referohen Kushtetutës nuk do të ketë konflikt. Po më pyet për Bahri Shaqirin.....merre hape CV e tij dhe e shikon qartë ku ka shkelje. Kryetari i KLSH ka qenë me profil të fortë ekonomik dhe financiar, nga i pari te i fundit që është Leskaj. Pra është profili i fushës ngërç? Po cfarë duhet më shumë?

Unë dua ti jap mend presidentit. Por do të doja të referoja faktin që në rastet e mëparshme është ndërtuar një proces për propozimin e një kandidature për kryetarin e KLSH me kryetarët e grupeve parlamentare, kryetarin e Kuvendit dhe të tjera figura që kanë njohuri të thella dhe mund të japin njohuri. Ky proces është i dobishëm, që të mos vijojë kjo shfaqje, që presidenti propozon dhe kuvendi rrëzon. Duhet ndërtuar një proces”.

Ora 22:00
Braçe: Buxheti sa 5% i GDP-së, s’bëhet para 2021, disa nga drejtuesit e universiteteve dhe studentë janë partiakë

Erjon Braçe u shpreh se buxheti sa 5% i GDP-së për arsimin nuk është e mundur që të bëhet deri në vitin 2021 dhe në momentin që është bërë premtimi llogaritë janë bërë gabim. Referuar deklaratave të fundit, Braçe tha se disa drejtues në universitete i përkasin partive politike, ndërsa shtoi se edhe disa nga studentët janë këshilltarë partish.

“Buxheti sa 5% i GDP-së, nuk bëhet, atëherë kur u tha kanë qenë llogaritë gabim. Nuk bëhet deri në vitin 2021. E dyta duhet ruajtur ekuilibrin edhe me sektorë të tjerë. Ministrja e re do të dërgojë reformën përpara. Kostoja për tarifat shkon 1.7 mld lekë në buxhetin e shtetit. Nuk ka pasur dhe nuk ka konsultim militantesk, në takime ka qenë cilido që ka dashur. Nuk ka pasur konsulta partiake.

E dyta, duhet të diskutojmë, ky modeli i arsimit do i përshtatet ekonomisë kombëtare. Në rast se po kemi nevojë për 140 mijë studentë apo 70 apo 80 mijë. Këtë vendim duhet ta marrim tani. Do vijojmë që të financojmë këtë apo një gjë tjetër? Qeveria ka mbajtur përgjegjësinë e vet, po këta që janë zgjedhur për të drejtuar universitetin? Nivel drejtuesish në universitete dhe në senat, që i përkasin partive politike dhe që po udhëheqin bërjen e këtyre deklaratave. Për të mos thënë edhe studentë, që i gjen këshilltarë partish”.

Ora 21:53
Protesta/ Braçe: Koha është tani, studentë dhe pedagogë ejani në dialog

Një nga pikat kryesore të diskutimit mbrëmjen e sotme në emisionin Repolitix ishte çështja e studentëve. Zv/ kryeministri Erjon Braçe kërkoi që studentët dhe pedagogët të ulen dhe të dialogojnë për ndërtimin e një strategjie të re. “Deri tani nuk ka asnjë argument për rrëzuar ligjin e arsimit të lartë. Kërkesat kemi vullnet ti adresojmë, por ka specifika të ndryshe dhe do të duhet kontributi i pedagogëve, që të mos kthehet në gjueti shtrigash. Dialogu me studentët? Koha është shumë e çmuar tani. Ka lidhje me të ardhmen e shkollës sonë. Model nuk ekziston në shkollën tonë, ndryshon nga njëri vit në tjetrin, jo vetëm në arsimin e lartë, por edhe atë parauniversitar. Duhet ndërtuar një strategji shumë e qartë më të gjithë. Kjo kërkon dialog, nuk mund të ngrihet muri me këto letra. Të gjithë janë kthyer në mësim përveç fakultetit të drejtësisë dhe dy tre të tjerëve. Ne kemi hyrë në mes të pedagogëve dhe studentëve. Rama tha do të bëjmë hapa pas për autonominë, por iu hodh në kurriz kupola drejtuesve dhe studentët. U detyrua të thotë ‘nuk duam të pushtojmë universitetin, por të bashkëpunojmë’.

Ora 21:39
‘Gënjyet për borxhin’/ Braçe debat me analistin Kalemaj: Ti nuk merr vesh fare

Analisti Ilir Kalemaj akuzoi se qeveria socialiste gënjeu për borxhin publik, pasi në 2013 premtoi se do ta dërgonte 60%, ndërsa aktualisht sipas tij është 72%. “Ke dështuar me borxhin publik, pse nuk e ke ulur? KLSH thotë se është 72%. Në 2013 ke thënë do të dërgosh 60%. Ju bëni premtime elektorale” tha ai. Por Braçe reagoi duke deklaruar se borxhi publik aktualisht është 69% dhe jo 72%. “FMN thotë se është 69%. Si mund të ngresh analizë mbi një gjë që nuk e di. Me KLSH dhe FMN e kemi debat për kontabilitetin. Borxhi është 69%, jo 72%. Ti nuk di gjë dhe as nuk e kupton. Tre muaj më parë dolëm në tregje dhe morëm një super interes, si mendon ti se këto tregje gënjehen. E kupton që nuk merr vesh fare”.

Ora 21:22
HEC-i në Gramsh, Braçe: Skandal! Godet një nga kanionet më të bukura, duhet të rishikohet

Zv/kryeministri Erjon Braçe e cilësoi si një skandal lejen për ndërtimin e HEC-it në Gramsh. Ai tha se godet një nga kanionet më të bukura që sjellin të ardhura nga turizmi për zonën dhe se duhet të rishikohet kontrata. “Kjo e Holtës është një skandal në vete, si ajo e Valbonës. Godet një nga kanionet më të bukura të zonës. Duhet të rishikojmë të gjithë politikën e këtyre kontratave të koncesionit, që ndjekin pas cdo rrëke uji për të ndërtuar një HEC. Besoj që ministrja e re do të paraqesë një plan jo vetëm për rishikim e kontratës aktuale, por edhe për politikën që do të vijojë. Për Zagorinë, nuk jam në gjendje të them, pasi nuk e njoh”.

Ora 21:03
Anulimi i koncesionit Thumanë-Kashar, Braçe: Ja dy arsyet e vërteta pse u tërhoqëm nga kontrata

Qeveria u tërhoq pak ditë më parë nga partneriteti publik privat për ndërtimin e aksit rrugor Thumanë-Kashar, një projekt prej 225 milionë eurosh. Ministrja e re e Infrastrukturës u shpreh se fondi i përcaktuar për këtë aks do të vendoset në funksion të "Paktit për Universitetin" (lexo këtu). Por zv/ kryeministri Erjon Braçe dha sonte në Repolitix dy arsye të tjera të ndërprerjes së kontratës. “Nuk është tërhequr qeveria, është ndërprerë procedura. Kjo kontratë nuk u arrit fare në kontratë... U tërhoqëm për dy arsye; e para se ishte i shtrenjtë, e dyta se asnjë kompani nuk mund të gënjejë më qeverinë e Shqipërisë. Ajo që ka ndodhur me procedurën e prokurimit të njërit lot të Unazës së Re është e patolerueshme. Për aksin Thumanë-Kashar ka një rrugë paralele, e cila duhet të mirëmbahet dhe e dyta, kompanitë duhet të harrojnë se mund të zhvillojnë praktika si ajo” tha ai.

Braçe sqaroi edhe çështjen e fondit që ishte përcaktuar për rrugën dhe që më pas u tha se do të shkojë për studentët. “Po nuk është thënë kështu, nuk ka fond. Hapësira fiskale që lë bosh, do të vihet në dispozicion ajo hapësirë fiskale për historinë e strehimit të studentëve dhe për ti dhënë fund procesit të rikonstruksionit, apo kampusve. Kërkojmë të ndërtojmë përmes kërkesës së qeverisë këtë herë, të shfrytëzojmë këtë hapësirë fiskale të krijuar nga ajo që folëm për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e infrastrukturës, mund ta shtrijmë edhe në arsimin parauniversitar”.

Ora 21:02
Kush janë këto? Braçe: Basha nuk u soll si burrë kundrejt zonjave të reja në qeveri

Lulzim Basha në fjalën e tij në parlament ditën e hënë u kthye nga podiumi i qeverisë duke treguar me dorë ministret e reja duke thënë; Kush i njeh? Kush i di emrat e tyre? Erjon Braçe e cilëson të turpshëm veprimin e Lulzim Bashës, ndërsa shton se është një mesazh që përcjell dhunë te shoqëria. “Atje lart (podiumi i qeverisë) nuk jam aq komod, unë jam ai që jam atje poshtë (ulëset e deputetëve). Atje lart edhe duhet të përmbahesh. Prisja që Basha të sillej si burrë në parlament, por ligjërimi i tij politik kundrejt zonjave që janë pjesë e qeverisjes së vendit është e turpshme. Nëse Basha do i adresohej ministrave apo ministreve...por ai u mor me gra, kush e njeh këtë? Thoshte. Ajo lloj gjuhe kundrejt grave, natyrisht përcjell një mesazh shumë negativ dhe të poshtër te ata burrë që gjatë muajit janar kanë vrarë. Gratë u sulmuan verbalisht në parlament. Ai është një mesazh i dhunshëm për shoqërinë”tha ai.

Ora 20:45
Posti i ri/ Braçe: Jam në trysni, pritshmëria e njerëzve është e madhe

Pas marrjes së detyrës së re si zv/kryeministër, Erjon Braçe zbulon se “Kam qenë në trysni të madhe, pasi pritshmëria e njerëzve është shumë e madhe dhe është presion i madh edhe mbi mua. Gjendem në vështirësi kur dëgjoj njerëzit të flasin rreth meje. Jam mësuar të flasin për punën dhe atë që bëj, jo cfarë thonë në raport me personin tim dhe më kushtëzoi. Unë i di limitet e mia, do të mundohem ti kompensoj me mua. Do të diskutoj, dëgjoj dhe marrë këshilla të vlefshme”.

Ora 20:43
Emërimi si zv/ kryeministër/ Braçe: Ja kur e mësova lajmin, në fillim hezitova

Erjon Braçe ka zbuluar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Repolitix’ kur e mësoi lajmin se do të emërohej në postin e zv/ kryeministrit. “Një natë para mbledhjes së Asamblesë e mora vesh lajmin. Nuk kam qenë në pritje as në radhë. U surprizuat?  Kam bërë detyrën që kam pasur, në pesë vitet e fundit kam qenë i nderuar që kam qenë në krye të komisionit të Ekonomisë, mbase edhe më e rëndësishme se kjo. Nuk prisja gjë. Reagimi i parë ishte me veten. A jam gati për të bërë një detyrë të tillë? Pasi lidhet me përgjegjësinë e detyrës dhe detaje të përmbushjes së atij mandati që po më besohet. Momenti i parë ka qenë hezitues, pastaj....E mora përgjegjësinë pasi vjen një moment, pasi forca politike të ka dhënë gjithçka. Unë jam rritur aty, kam gjysmën e jetës në parlament prej PS-së”tha ai.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Alpin: 24/01/2019 00:06

    Ndertimi i h/c ne kanionet e Osumit ka qene nje skandal i madh dhe do i anulojme...z.Braçe, po me me Valbonen ka dy standarte? Ciki do jete angazhimi juaj per te parandaluar krimin shteteror qe pi shkaterron luginen me te bukur te vendit tone...VALBONEN??!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë