Aleksandër Vulin, zëvendës kryeministër në kabinetin e ri të qeverisë serbe, ka komentuar takimin e kryeministrit Edi Rama, me shqiptarët në Greqi.

“Shqipëria e madhe mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe”, u shpreh Vulin në një reagim kundër takimit të kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Greqi. 

“Herën tjetër që qeveria e Greqisë të mendojë për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë, le të kujtojë se si duket pritja e Edi Ramës në mes të Athinës. Atë që Rama nuk mundi ta përjetonte në Tiranë, e përjetoi në Athinë”.- tha Vulin.

Zv/kryeministri serb kërkon nga Greqia që të formojnë një aleancë anti-shqiptare. 

”Njohja e të ashtuquajturës Kosovë nga autoritetet greke dhe pranimi i Prishtinës në Këshillin e Evropës, do të ishte një kontribut i pamatshëm i Qeverisë së Greqisë dhe Dora Bakoyanis në krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shqipëria mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe, por edhe nga ju grekë të dashur, grekët tanë. Ju lutem mendoni për këtë”.- tha Vulin.