Duhet të bashkojmë energjitë dhe të gjejmë urgjentisht një strategji të qartë që lufton realisht dhe në mënyrë permanente fenomenet që çojnë në braktisjen e vendit nga shqiptarët. Kështu thotë presidenti Ilir Meta, cili ka reaguar në lidhje me emigracionin e shqiptarëve, ku thekson se duhet të garantohen së pari standarde të qeverisjes, llogaridhënie demokratike në çdo nivel dhe dëgjimin e zërit të qytetarëve nëpërmjet referendumeve.

‘Axhenda e qëllimshme antikombëtare për shpopullimin dhe falimentimin e Shqipërisë është një fakt i qartë. Pasojat tragjike ndihen në çdo familje shqiptare dhe në çdo sektor. Është detyra e të gjithëve të unifikohemi pa humbur më kohë, në një front të përbashkët kombëtar, për të adresuar me përgjegjshmëri, atdhetari dhe profesionalizëm këtë dramë të madhe, duke ringjallur shpresën.

Nevojitet urgjentisht një strategji e qartë dhe efektive që lufton realisht dhe në mënyrë permanente fenomenet që çojnë në braktisjen e vendit nga shqiptarët, duke garantuar së pari standarde të qeverisjes, llogaridhënie demokratike në çdo nivel dhe dëgjimin e zërit të qytetarëve nëpërmjet referendumeve. Të bashkojmë energjitë për t’i dhënë Shqipërisë drejtimin dhe perspektivën e merituar europiane!  Koha për të ndërtuar Europën në Shqipëri është tani!’- shkruan Meta në rrjetet sociale.

Nga viti 2016 deri në fund të vitit 2021 nga Shqipëria kanë emigruar rreth 221 mijë e 48 persona me një mesatare vjetore prej 38 mijë e 841 persona, sipas të dhënave të INSTAT, shkruan VOA. Vetëm vitin e kaluar nga Shqipëria emigruan 42 mijë e 48 persona, pjesa më e madhe të rinj të moshës 18 deri në 40 vjeç, duke ndikuar ndjeshëm në tkurrjen e fuqisë punëtore edhe në bujqësi.