Zyhdi Dajti: Si vdiq Ziveri
në duart e mia më 21 jana

Zyhdi Dajti: Si vdiq Ziveri<br />në duart e mia më 21 jana
TIRANE - Të gjithë e mbajnë mend Zyhdi Dajtin, nga pamjet e filmuara nga gazetari Artan Hoxha në 21 janar 2011. Ai ka qenë drejtues i policisë Bashkiake, kur Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës. Prej shumë vitesh më parë, ka punuar në forcat speciale. Për herë të parë pas një viti, Zyhdi Dajti, i pari person që preku trupin e Ziver Veizit të vrarë përpara derës së kryeministrisë, thyen heshtjen, dhe flet për tragjedinë që i mori jetën 4 personave, gjatë një demonstrate të organizuar nga Partia Socialiste në 21 janarin e vitit të kaluar.

Si u organizua demonstrata e PS-së në 21 janar 2011? Ju ishit në krye të turmës. Si u lajmëruan strukturat?
Demonstrata u organizua nga PS. Në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", policia bashkiake, kishte marrë detyrën për ruajtjen e sigurimin e të gjitha bizneseve të qytetit të Tiranës, duke vendosur policë që të mos kishte dëmtime të pasurisë së qytetarëve.

Pse duheshin angazhuar strukturat e policisë bashkiake? Pse duhej ju të ruanit bizneset? Nga kush duhet t'i ruanit?
Ne po themi se duhet të ruheshin bizneset, jashtë bulervadit, ku zhvillohej protesta. Nga Tirana e Re te Tajvani, lart te Rruga e Elbasanit, pra të gjitha subjektet, dhe policia bashkiake u angazhua që të ruante këto biznese private. Nuk duhet të harrojmë, njerëzit ishin të zemëruar, sidomos pas daljes së video përgjimit Meta-Prifti. Për çdo gjë, për bizneset e Tiranës, policia bashkiake ishte në krye të detyrës.

Ku ishit ju kur filluan trazirat e para?
Tani, nuk mund të kujtoj me saktësi gjithë dinamikën e ngjarjeve të asaj dite. Vetëm në disa momente, pashë se ishte një rrëmujë e madhe, kur policia nxorri makinat me ujë dhe hidhte granata tymuese. Në këtë moment, unë dhe një pjesë e stafit u afruam te Kryeministria.

Aty, në një moment, nga pamjet e filmuara, ju shohim te gardhi i kryeministrisë, kur nisi të qëllohej me armë. Ju e dinit se po qëllohej me fishekë të vërtetë, apo me fishekë manovre?
Unë e vërejtja menjëherë që po qëllohej mbi turmën me armë luftarake, kjo edhe për shkak të eksperiencës së punës sime. Unë kam qenë komandant i Forcave Speciale të Gardës prej 25 vjetësh dhe e njoh shumë mirë ruajtjen dhe sigurinë e objekteve, sepse i kam ruajtur dhe nuk ka patur precedentë të kësaj natyre si ato që ndodhën në 21 janar.
Pra pashë që po gjuhej me plumba të vërtetë, sepse dallohet arma luftarake me plumb të vërtetë, nga ajo me plumb mësimor. Kështu u detyrova që të shkoj të shikoj se çfarë po bëhej. U ndodha përpara hyrjes së hekurt të kryeministrisë, për të penguar hyrjen e qytetarëve brenda në godinë, edhe pse nuk ekzistonte asnjë lloj plani i tillë që njerëzit të hynin brenda, sepse nuk ishin të pajisur me armë, apo sende të tjera të forta. Vërtetë u befasova kur pashë prapa krahëve të mi që gjuhej me armë. Ishin pikërisht ata oficerë që i kisha stërvitur vetë, që i kisha pasur vartës. Në këtë moment humba toruan. Kur pashë se u rrëzua një person (ishte Ziver Veizi), unë kujtova se u rrëzua ndoshta ngaqë kishte thyer këmbën apo ishte penguar. Mendova të shkoj ta ndihmoj në vend. Por ai dha shpirt për 1 minutë e 30 sekonda. Aty thirra njerëz që kisha rrotull që ta merrnin. Më pas pashë që u vranë edhe të tjerë, dhe u plagosën sikurse e dimë tashmë, 27 persona me plumba në trup.
U zhgënjeva shumë kur ato forca speciale që unë i kisha stërvitur gjuanin në drejtim të qytetarëve, edhe pse ata nuk kishin hyrë brenda objektit. Nga praktika ime e deritanishme, sa herë është sulmuar kryeministria, zjarri për të qëlluar mbi turmën, jepet me urdhër dhe veprohet me komandë. Ndërsa aty ishte mish-mash dhe nuk merrej vesh se kush po gjuante nga ata që ishin brenda godinës së kryeministrisë.

Pra, po thoni që nuk ka patur një urdhër të qartë?
Urdhër duhet të ketë pasur, se pa urdhër nuk veprohet. Pra një institucion apo repart ushtarak, ka urdhër për të vepruar, qoftë për sulm për tërheqje, për mbështetje, qoftë për hapje zjarri.

Nuk patët frikë që shkuat aty edhe pse e dinit se po gjuhej me armë të vërteta?
Unë nuk e llogarita fare nëse do të më kapte apo jo ndonjë plumb. Më tepër më dhimbeshin ato bijë nënash, ato fëmijë, ato gra, e burra që ishin në vijën e parë dhe që shikonin se si gjuhej me plumba. Sepse u qëllua drejtpërdrejtë tek qytetarët. Nuk është e vërtetë se plumbat në vijën e parë ishin rikoshetë. Goditjet kanë qenë të drejtpërdrejta.

Të kthehemi tek vrasja e Ziver Veizit. Përveç mendimit të parë se u rrëzua, ku shkuat pasi trupin e tij e morën për në spital? Dmth, u interesuat nëse kishte ai njerëz të tjerë apo si?
Unë vrasjen e Ziver Veizit më shumë sesa aty në vendngjarje, e kam parë në televizion më pas. Sepse siç ju thashë, kur ai ra në tokë, nuk ka zgjatur më shumë se një minutë e 30 sekonda gjithçka. Ai pati goditje në zemër dhe gjak nuk kishte. Ai lëvizi, u trondit një herë, lëvizi dorën e majtë dhe kaq ishte. Ziveri nuk ishte agresiv, nuk po gjuante në drejtim të kryeministrisë, ishte një qytetar që po shikonte.

Meqënëse dikur ushtarakët e forcave speciale i keni pasur kolegë dhe vartës. A tentuat të komunikonit me ta për t'i ndaluar që të mos qëllonin?
Tentativa për bisedime ka patur, qoftë edhe nga ish-komandanti i Gardës, Arben Çuko, për të arritur një marrëveshje të mos qëllonin.

Me kë?
Saktësisht nuk e di, por di që ka patur tratativa, qoftë edhe me policinë, që më ka thirrur dhe më kanë thënë "të lutem na ndihmo që të mos bëheshin veprime të jashtëligjshme", por ishte pamundur kur shikohej se si shkrepeshin armët.

Kur ikët ju nga sheshi?
Unë jam larguar kur turma ishte e shpërndarë dhe kur në bulevard nuk kishte asgjë, rreth orës 20.30-21.00. Aty kam parë policinë që kapte dhe arrestonte njerëz poshtë e përpjetë, duke i goditur dhe masakruar dhe ishte një veprim jo i hijshëm. Unë u trondita që ish-zëvendësi im, i dyshuari aktual për vrasjet, Agim Llupo, tashmë i arrestuar, ka qëlluar vetë. Sepse një drejtues nuk mund të qëllojë vetë pa urdhër.

Ju komunikuat vetë me Llupon pas ngjarjes?
Jo, dhe nuk mendoja që të kontaktoja. Më duket absurd që ish vartësi im gjuan me armë kundër popullit, dhe unë të shkoj e ta kontaktoj. Ai fare mirë mund të më thoshte edhe mua, të më kontaktonte, sepse kisha qenë komandant i tij, sepse ishim 5-6 metra larg njëri tjetri, ai ballazi dhe unë me kurriz nga kryeministria. Plumbat e tij, mund të më kapnin edhe mua.

Ju patët kontakte telefonike me kryetarin e PS-së, Edi Rama, siç kanë thënë edhe deputetët e PS-së edhe në prokurori, që kreu i PS kishte kërkuar në maksimum shmangjen e tragjedisë?
Po, kam patur kontakte dhe e them me bindje të plotë se qoftë Rama, qoftë deputetët e tjerë, kanë qenë të predispozuar që demontruesit të largoheshin nga objekti për të shmangur tragjedinë. Pra, nuk ka pasur një plan të organizuar për të marrë kryeministrinë. Të gjithë deputetët pa përjashtim me ata që kam kontaktuar, thonin që qytetarët të mos afroheshin te kryeministria. Edhe vetë Rama porosiste që asnjë qytetar të mos afrohej te gardhi.

Dakort, por ju si ish-drejtues i këtyre forcave, a nuk e dinit se një turmë e madhe e irrituar që shkon afër një institucioni, ka tendencë për dhunë, nga të dy anët?
Po, edhe unë po të isha në rolin e drejtuesve të Gardës do të thosha këtë që, nëse vetë turma do të kishte kaluar gardhin, dhe do të ishte e armatosur me shishe apo lëndë djegëse, nuk dihej çfarë mund të ndodhte. Do të ishte një goditje tragjike. Por nuk pati nga këto gjëra. Goditja më e madhe ishte me gurë dhe shkopinj.

Po u hodhën edhe shishe me benzinë...
Unë kam parë vetëm një pemë që u dogj. Po në 2001-in, kur drejtoja këto forca, shishe me benzinë iu hodhën nga demonstruesit e PD-së policit në kokë dhe mori flakë, me plagosje shumë të rëndë. Por askush nuk gjuajti me armë.

Por ndërkaq, ishte shpërthyer dera kryesore e kryeministrisë...
Për derën kryesore të kryeministrisë, flasim për derën prej hekuri, e them me bindje të plotë se duhet të ishin marrë masa. Duhet të ishte blinduar, salduar...Por ajo u hap vetë. Kush e hapi? Unë e gjeta të hapur.

Një vit pas ngjarjes, si e shihni ju reagimin qytetar, të prokurorisë, të politikës dhe të forcave speciale, në raport me ngjarjen?
Unë po i përmbledh në një të vetme. Në prokurori kam deponuar realitetin. Sot njerëzit janë të irrituar dhe zhgënjyer, pasi tani po bëhet një vit nga kjo ngjarje dhe ende nuk ka drejtësi. Po them vetëm një fakt: në 1991, kur u sulmua ish-Blloku dhe kryeministria, turma ishte akoma më e madhe sesa ajo e 21 janarit dhe njerëzit sulmonin nga të gjitha drejtimet para kryeministrisë. Kam qenë drejtues atëherë dhe komunikuam me ta, (sepse duhet të keni parasysh atë kohë, njerëzit ishin më të irrituar sesa në 21 janar 2011) dhe arrita t'i ktheja njerëzit, me ato forca speciale që kisha. Në atë kohë, ka pasur shumë efektivë të përgatitur, por këtë radhë në 21 janar nuk pashë kuadro të përgatitur.

Pra ju aludoni se ka patur një organizim të brendshëm të Gardës për të treguar se ne dimë të bëjmë edhe këtë?
Eskeperienca ime dhe unë si ushtarak, e deklaroj me bindje të plotë që nëse ka një aktivitet, apo protestë, largohen objektet kryesore.

Pra duhet të kishte ikur Berisha nga zyra sipas jush...
Është normale nga praktika e këtyre viteve.

Një pjesë e hetimeve të prokurorisë u shtrinë te organizatorët...
Unë nuk pashë në protestë që të kishte një organizator që të thoshte "poshtë kjo...", "digjeni", "vritni" etj. Nuk ka patur një organizim të tillë nga organet drejtuese të PS, apo deputetë. Turma ka qenë turmë, manifestonte për problemet që kishte. Nuk ka pasur asnjë tentativë për puç, apo grusht

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse

NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse