Burime kofidenciale thanë mbrëmë për gazetën “Shqiptarja.com” se disa deputetë të Partisë Socialiste janë përgjuar gjatë bisedës që kanë bërë me ish-drejtorin e Shërbimit Informativ Ushtarak, Ylli Zyla. I pyetur për këtë çështje deputeti i Partisë Socialiste, njëkohësisht anëtar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Arben Çuko ka pohuar se “kjo është e tmerrshme dhe shumë e rëndë për shtetin shqiptar”. Sipas tij është kreu i SHIU që disponon instrumentat për të vënë në përgjim persona të caktuar, dhe absolutisht ai nuk mund të vihet në përgjim. “Kush e ka përgjuar këtë person? Aq më tepër që është përgjuar biseda me deputetët e Partisë Socialiste. Kjo është tmerrësisht antiligjore. Kjo mund të bëhet vetëm nga Prokuroria, pra përgjimi i deputetëve. Do të jetë vërtetë e rëndë nëse është përgjuar dhe pse është përgjuar ky person? Është një pyetje që duhet të marrë një shpjegim”, është shprehur deputeti Çuko për televizionin A1 Report. Sipas burimeve kofindenciale dorëheqja e tij mund të lidhet edhe me presionin që i kanë bërë partnerët e tij, të cilët pas publikimit të skandalit në të përditshmen “Shqiptarja.com” i kanë kërkuar të tërhiqet. Çuko ka vlerësuar edhe punën e medias në nxjerrjen e këtyre skandaleve, ndërsa ka theksuar se është cënuar imazhi i Shqipërisë në NATO. Sipas tij, dorëheqja nuk vjen nga publikimi i të pavërtetave, por nga publikimi i të vërtetave.