Ambasada amerikane në Prishtinë tha se Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtim dhe ajo e presidentes Vjosa Osmani, kanë konfirmuar pjesëmarrjen në diskutimin për Asociacionin, që do ta organizojë kjo ambasadë më 31 janar.
“Qëllimi ynë është të avancojmë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në një përgjigje të zëdhënëses së Ambasadës amerikane, Katherine Judd, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Ambasada amerikane tha se diskutimi për Asociacioni konsiston me qëllimin e Shteteve të Bashkuara për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe është si “reflektim për miqësinë tonë të gjatë dhe mbështetjen për popullin e Kosovës”.
Shtetet e Bashkuara më herët kanë deklaruar se në diskutimin e 31 janarit janë ftuar një grup divers i liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve.
Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në diskutimin e organizuar nga SHBA-ja. Javën e kaluar, gjatë një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë, Kurti kishte deklaruar se ende nuk kishte pranuar ftesë për diskutimin e 31 janarit. Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, kanë arritur dy marrëveshje sa i përket Asociacionit, një më 2013 dhe një më 2015.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, nuk ishte në harmoni të plotë me Kushtetutën, por që nenet mund të harmonizohen.
Çfarë parasheh Asociacioni?
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë. mMarrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës. mPo ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialog, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni njëetnik. SHBA-ja vazhdimisht ka kërkuar që Kosova të formojë Asociacionin. Më 30 janar, përmes një shkrimi autorial, dy zyrtarë të lartë amerikanë, Derek Chollet, dhe Gabriel Escobar, sërish përsëritën këtë kërkesë.
Përmes një shkrimi autorial, ata thanë se themelimi i Asociacionit është ndër detyrat më kritike.
Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor gjatë vizitës së tyre në Prishtinë. 11 janar 2023.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thanë se ka pasur shumë diskutime për Asociacionin, por tani sipas tyre, dhe ka ardhur koha të tregohet qartë se çka është ky Asociacion e çka jo.
"Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe për të bashkërenditur çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse".
"Është mënyrë për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, krijimin e besimit ndërmjet serbëve etnikë dhe qeverisë qendrore, sigurimin e lidhjeve më të mira ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të vendit, dhe krijimin e mekanizmave për serbët për pjesëmarrje më të madhe në jetën shoqërore të Kosovës", u tha në tekstin e tyre autorial.
Escobar më herët po ashtu ka deklaruar se Asociacioni duhet të formohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe nuk duhet të jetë "shtet brenda shtetit"./REL
mire do ishte te mos bihej dakort nga qeverite e meparshme dhe dikush duhet te jape llogari, njesoj si me detin ketej. por nese duhet bere, ne rregull atehere, kompetenca botoresh, uje e kanalizime, te krijohen asocione veri, jug, lindje, perendim dmth bashkira te medha e te quhen shoqata e Jo asocione se eshte term angles dhe meqe nuk rrezikoka sovranitetin, reciprocitet me luginen dhe viset e tjera me shqiptare nga sanxhaku etj.. pastaj do dali fytyra e vertete e serbiles e meqe krijohet precedent te ngrihet reciprociteti me greqiren. keshtu asocioni hollohet dhe eshte rene dakort per veriun e nderkohe kosoven nuk e pengon kush ta cdramatizoje asoic veriut duke krijuar gjithandej asoc me kompetenca bashkie
Përgjigju