TIRANË - Këshilli i Ministrave miratoi sot një vendim që parashikon funksionimin e "Zyrës Kombëtare Erasmus+"(ZKE), në kuadër të programit të BE-së për arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin.

Sipas vendimit, ZKE, që zëvendëson Zyrën Kombëtare Tempus, është person juridik, jobuxhetor, i cili funksionon në përputhje me termat e referencës, të përgatitura nga Komisioni Evropian. Ajo e ushtron veprimtarinë nën mbikëqyrjen e ministrisë përgjegjëse për çështjet e arsimit, e cila ndjek dhe garanton zbatimin e programit "Erasmus+" në Shqipëri.

Vendimi i sotëm i qeverisë parashikon funksionet kryesore të ZKE-së, ku ndër të tjera përfshihet përpunimi, promovimi dhe shpërndarja në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë të informacionit dhe dokumentacionit të programit "Erasmus+", si dhe asistenca për institucionet e arsimit të lartë në aplikimet për projektet "Erasmus+"./ATSH/