Trajneri Vincent Kompany ka bindur drejtuesit e Bayern Munich, të cilët kanë punuar në javët e fundit në fshehtësi të plotë për t’i përgatitur një kontratë të re. Sipas njoftimit të bërë nga vetë klubi, tekniku belg ka pranuar që të shtyjë me dy vite akordin e firmosur në 2024-ën. Sipas kushteve të reja Kompany do të jetë trajner i Bayern deri në verën e vitit 2029.
“Jam mirënjohës, i nderuar dhe dua të falënderoj FC Bayern për besimin dhe mjedisin e punës që më kanë dhënë që nga dita e parë. Ndihem sikur kam qenë këtu për një kohë shumë më të gjatë dhe se e njoh mirë klubin. Ka qenë një përvojë e shkëlqyer deri më tani. Kemi filluar një udhëtim të mrekullueshëm. Le të vazhdojmë të punojmë shumë dhe të festojmë shumë më tepër suksese”, tha trajneri belg.
Kompany mori drejtimin e skuadrës në verën e vitit 2024 dhe ka arritur rezultate mbresëlënëse, duke e rikthyer Bayernin në krye të Bundesligës. Në 67 ndeshje në total, skuadra e tij ka regjistruar 49 fitore në total.
Mesatarja e pikëve për ndeshje është 2.51, një tregues që e vendos menjëherë pas Pep Guardiolës. Klubi e vlerëson stabilitetin dhe filozofinë e tij të punës, ndaj vendosi ta mbajë për një periudhë më të gjatë.
Komente







