Sulmuesi shqiptar Erald Maksuti ka hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij duke u transferuar zyrtarisht te Akhmat Grozny në Superligën ruse të futbollit. Flamurtari ka përfituar 700 mijë euro nga kjo lëvizje.

Pas një sezoni të shkëlqyer me Flamurtarin, ku realizoi 12 gola dhe u shndërrua në një nga lojtarët më të spikatur të skuadrës vlonjate, 22-vjeçari ka firmosur një kontratë katër vjeçare me klubin rus. Një sezon më parë ai la Apoloninë dhe për 150 mijë euro u bashkua me vlonjatët.

Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e Akhmat Grozny, e cila në prezantimin e sulmuesit shqiptar vuri në dukje edhe eksperiencën e tij me kombëtaret e moshave të Shqipërisë.

Maksuti tërhoqi vëmendjen gjatë sezonit të fundit falë paraqitjeve të tij bindëse dhe potencialit të madh, ndërsa një transferim jashtë vendit konsiderohej vetëm çështje kohe për talentin shkodran.

Te skuadra ruse kanë lënë gjurmë edhe disa futbollistë të njohur shqiptarë si Ilion Lika, Odise Roshi, Bekim Balaj dhe Bernard Berisha, ndërsa tashmë Maksuti synon të ndjekë të njëjtën rrugë suksesi në futbollin rus.