15 drejtues të bluve kanë shfaqur interes në garën për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, përzgjedhje që për herë të parë do të bëhet me konkurs, bazuar në karrierë dhe vlera.

Ministria e Brendshme publikoi sot (19 shtator) 15 orë pas përfundimit të afatit të dorëzimit listën e plotë, në të cilën gjenden emra me karrierë të gjatë në polici, por edhe të rinj që së fundmi kanë mundur të marrin gradën drejtues. 

Në mesin e 15 emrave është Ardian Çipa, drejtor i Policisë së Gjirokastrës, me një karrierë të gjatë si drejtues, përfshirë së fundmi edhe qarkun e vështirë të Elbasanit. Ilir Proda, një prej emrave më të lakuar të ditëve të fundit, pas sekuestrimit të celularit nga SPAK, mbi dyshimet e dekonspirimit të operacionit kundër Çopjave. Proda, i shpallur më i miri në garën për grada synon kreun e policisë.

I radhës është Neritan Nallbati, drejtor i Policisë Kriminale, i marrë së fundmi në pyetje nga SPAK, për po të njëjtën arsye si Proda. Nallbati, me karrierë të gjatë në disa qarqe. Bashkë me të interes shfaqi në garën për kryepolic edhe Rebani Jaupi, prej disa vitesh drejtor për Sigurinë Publike, teksa më herët mban mbi supe eksperiencën e drejtimit të Policisë së Tiranës. 

Pëllumb Seferi, me një CV të gjatë trajnimesh ndërkombëtare, vjen në garën për drejtues të Policisë së Shtetit me eksperiencën disa vjeçare në drejtim të Interpol Tirana. Një emër tjëtër i pritshëm në garë, Skënder Hitaj, drejtori aktual i Policisë së Durrësit, me karrierë të gjatë si drejtues qarqesh, ndër to Shkodra dhe Dibra. Emër surpizë është Altin Mena, aktualisht zëvendës drejtor i Policisë së Lezhës. Lista vijon me Gentjan Shehaj, Hajrulla Xhivinin, Ibrahim Dishën, Idajet Faskajn, Adriatik Tafçiun, Lutfi Minxhozin, Sami Rashën dhe Shemsi Prençin. 

Interes në garën për drejtor të përgjithshëm nuk kanë shfaqur emra të rëndësishëm të policisë, me karrierë të gjatë dhe kontribut të vyer, ndër to drejtorët e Policisë Tiranë, Tonin Vocaj, drejtori i Shkodrës, Edmond Sulaj, i Vlorës, Ermal Muça, apo drejtori i Korçës, Gjovalin Loka. 

15 kandidatët do të kalojnë në një filtër vlerësimi nga komisioni ad-hoc në Ministrinë e Brendshme në 10 ditët e ardhshme të punës. Në fund të gjithë do të pikëzohen në bazë të kritereve të eksperiencës, trajnimeve dhe aftësive profesionale nga i pari deri tek i fundit. Lista në vijim i kalon ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili ka të drejtë që njërin prej tyre t’ia propozoj Kryeministrit, që vë firmën përfundimtare.

Lista e kandidateve sipas rendit alfabetik
1 - Adriatik Tafçiu - Shef sektori Policia e Shtetit 
2- Altin Mena – Zv/drejtor policie në Lezhë
3- Ardian Çipa – Drejtor policie në Gjirokastër
4- Gentjan Shehaj – Drejtor i kurrikulave në Akademi
5- Hajrulla Xhivini – Ish/drejtues policie  
6- Ibrahim Disha - Ish/drejtues policie ish/drejtues policie ish/drejtues policie
7- Idajet Faskaj – Drejtor i Interpol
8- Ilir Proda – Drejtor policie në Elbasan
9- Lutfi Minxhozi – Drejtor i Europol
10- Neritan Nallbati – Drejtor i policisë kriminale 
11- Pëllumb Seferi – Drejtor i marrëdhënieve ndërkombëtare 
12- Rebani Jaupi – Drejtor për rendin dhe sigurinë 
13- Sami Rasha – Pedagog në Akademinë e Sigurisë
14- Shemsi Prençi – Ish/drejtues policie
15- Skënder Hitaj – Drejtor i policie në Durrës