Jasir Asani është zyrtarisht një lojtar i lirë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka ndërprerë kontratën me klubin iranian Esteghlal, duke i dhënë fund aventurës së tij pas vetëm një sezoni.

Shkak për përfundimin e bashkëpunimit është bërë mospagimi i detyrimeve financiare nga ana e klubit për sezonin e kaluar. Futbollisti 31-vjeçar ka njoftuar drejtuesit e Esteghlal për vendimin e tij përmes një letre zyrtare, duke aktivizuar procedurën e prishjes së kontratës.

Tashmë, shkupjani është në kërkim të një skuadre të re, ndërsa mbetet për t'u parë se cili do të jetë destinacioni i tij i ardhshëm. Vetë Asani ka deklaruar më herët se ka interes nga futbolli spanjoll, madje edhe nga klube të La Ligës, çka e bën këtë një mundësi reale për vijimin e karrierës.

Periudha në Iran nuk rezultoi e lehtë për sulmuesin shqiptar. Situata e krijuar nga konflikti në Lindjen e Mesme ndikoi edhe në aktivizimin e tij te Esteghlal, duke bërë që Asani të humbiste ritmin e ndeshjeve. Sfida e fundit e tij me fanellën kuqezi daton më 31 mars, në miqësoren ndaj Ukrainës.

Me fanellën e Esteghlalit, Asani regjistroi 29 paraqitje dhe realizoi 13 gola, duke e renditur klubin iranian mes pesë skuadrave për të cilat ka shënuar më shumë gjatë karrierës së tij.

Bilanci më i mirë i sulmuesit mbetet ai me Partizanin dhe klubin nga Koreja e Jugut, Gwangju FC, ku realizoi nga 27 gola me secilën skuadër.