Ashtu siç e njoftoi Report TV mëngjesin e sotëm, KF Tirana ka zyrtarizuar largimin e trajnerit Ardian Nuhiu. Humbja me Teutën 0-1 të dielën në kryeqytet ishte e treta radhazi për ekipin më të titulluar në vend dhe drejtuesit kanë vendosur të ndajnë rrugën me trajnerin i cili e mori drejtimin më 31 tetor 2025.

“Klubi i Futbollit Tirana njofton se bashkëpunimi me trajnerin Ardian Nuhiu është ndërprerë në mënyrë konsensuale.

KF Tirana shpreh falënderimet më të sinqerta për trajnerin Ardian Nuhiu për kontributin, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë drejtimit të skuadrës sonë.

Gjatë bashkëpunimit, ai ka dhënë maksimumin për ngjyrat bardheblu, duke punuar me pasion, korrektësi dhe respekt për klubin dhe tifozët tanë.

I urojmë suksese në karrierën e tij profesionale”, njofton klubi bardheblu.

Tirana e futbollit këtë sezon vuan në zonën e ftohtë dhe mbetet ende në vendin e parafundit. Pas Vangjel Miles dhe Roberto Bordin, bardheblutë këtë sezon largojnë edhe Ardian Nuhiun. 

Report Tv mëson se Orges Shehi do të jetë trajneri i ri i Tiranës. Për ish-portierin e kombëtares ky është një rikthim te klubi bardheblu me të cilin ka arritur të fitojë edhe titullin kampion. Palët kanë negociuar prej kohësh por problem ka qenë kontrata që Shehi ka me klubin e Ballkanit në Kosovë, me të cilin është në gjyq.