Sulmuesi i Kombëtares Rey Manaj ka ndryshuar ekip në ditën e fundit të merkatos. 24 vjeçari është larguar nga Barcelona dhe ka firmosur me ekipin e Serisë A Spezia. Transferimi është bërë zyrtar tashmë nga të dyja ekipet ku katalanasit kanë zbuluar edhe detajet e marrëveshjes. Manaj do të luajë këtë sezon tek Spezia e cila do paguaj 300 mijë euro në arkat e klubit të Barcelonës dhe ka të drejtën e blerjes jo detyrimin në shumën e 2.7 milion eurove në fund të sezonit.
Rey Manaj iu bashkua ekipit B të Barcelonës në janar të vitit 2020. Sezonin e kaluar ai shënoi 14 gola në 22 ndeshje me skuadrën e dytë ndërsa shkëlqeu me ekipin e parë të Barcelonës gjatë fazës përgatitore ku shënoi 4 gola në ndeshjet miqësore dhe momentalisht ishte pjesë e ekipit në La Liga edhe pse nuk u aktivizua asnjë minutë në 3 ndeshje.
Manaj momentalisht është i grumbulluar me Kombëtaren për 3 ndeshjet e shtatorit dhe pritet shumë nga futbollisti lushnjar nisur nga forma e mirë që po kalon.