Michael Carrick është emëruar trajner i përhershëm i Manchester United me kontratë deri në vitin 2028, pasi impresionoi gjatë periudhës së tij fillestare si trajner i përkohshëm.

Ish-lojtari i klubit u emërua trajner i përkohshëm në janar, pas vendimit të klubit për t’u ndarë nga Ruben Amorim dhe shumë shpejt e ngjiti ekipin në renditjen e Premier League.

Ai pati një debutim ëndrrash, me një fitore 2-0 ndaj rivalëve të Manchester Cityt, e cila u pasua nga një triumf 3-2 në transfertë kundër Arsenalit. Pas kësaj, ai udhëhoqi ekipin edhe në fitoret ndaj Liverpoolit, Chelseat, Aston Villas dhe Tottenhamit.

Megjithëse rezultatet ndaj skuadrave më pak të njohura nuk kanë qenë po aq mbresëlënëse, ai gjithsesi e ka çuar United nga vendi i shtatë në të tretin dhe ka siguruar kualifikimin në Champions League.

Ky do të jetë roli i dytë i përhershëm në karrierën e tij si trajner, pasi më parë kaloi tre vite në krye të Middlesbrough në Championship.

Në deklaratën e klubit për emërimin e Carrick me një kontratë dy vjeçare, Manchester United tha: “United ka kënaqësinë të njoftojë se Michael Carrick do të vazhdojë si trajner i ekipit të parë të meshkujve, pasi ka nënshkruar një kontratë të re që do të zgjasë deri në vitin 2028.”

Michael Carrick u shpeh i lumtur për këtë kontratë të re, pasi për herë të parë u bashkua me 'Djajtë' 20 vite më parë.

"Nga momenti që erdha këtu 20 vite më parë, ndjeva magjinë e Manchester United. Të mbaj përgjegjësinë për të drejtuar klubin tonë të veçantë të futbollit më mbush me krenari të jashtëzakonshme.

Gjatë pesë muajve të fundit, ky grup lojtarësh ka treguar se mund të arrijë standardet e rezistencës, unitetit dhe vendosmërisë që ne kërkojmë këtu.

Tani është koha të ecim përpara së bashku përsëri, me ambicie. Manchester United dhe tifozët tanë të jashtëzakonshëm meritojnë të luftojnë sërish për trofetë më të mëdhenj", tha Carrick.