Rocco Vata, fantazisti 19-vjeçar i Watford i ka thënë përfundimisht "jo" kombëtares së Shqipërisë dhe ka pranuar ftesën e ekipit A të Irlandës.

Disa ditë më parë shqiptarja.com dhe Report Tv bëri me dije se Vata kishte një ftesë për të qenë pjesë e Irlandës A, teksa edhe Shqipëria U-21 dërgoi një ftesë në drejtim të futbollistit.

Tanimë nuk ka më dyshime dhe Rocco, i biri i ish-kapitenit të Kombëtares, Rudi Vata, i ka thënë 'po' Irlandës. Gjithçka është konfirmuar nga Federata e Futbollit të Irlandës dhe trajneri Heimir Hallgrímsson.

Për herë të parë Vata do jetë pjesë e Irlandës në ekipin e parë dhe duket se do marrë minuta në play-off e Ligës së Kombeve, me Irlandën që luan kundër Bullgarisë.

Nëse Rocco merr qoftë edhe një sekondë në fushë, shanset e tij për të zgjedhur më pas Shqipërinë janë zero. Deri më tani Vata ka luajtur me moshat e Irlandës, nga U-15 deri te U-21.