Manchester City ka zyrtarizuar transferimin e Ayyoub Bouaddit nga Lille. Mesfushori maroken ka firmosur një kontratë pesë vjeçare, e cila do ta mbajë në “Etihad Stadium” deri në vitin 2031.

18-vjeçari konsiderohet një nga talentet më premtues të futbollit evropian dhe shihet si pasuesi i Rodrit te City. Bouaddi regjistroi 96 paraqitje me fanellën e Lille dhe tërhoqi vëmendjen me paraqitjet e tij në Kupën e Botës këtë verë, veçanërisht në sfidën hapëse të Marokut ndaj Brazilit, ku spikati për kontrollin dhe organizimin e lojës në mesfushë.

Paraqitjet e tij bindën Manchester Cityn të hidhej fuqishëm në garë për shërbimet e tij. Sipas raportimeve, klubi anglez ka paguar rreth 100 milionë euro për transferimin e mesfushorit.

“Manchester City është i kënaqur që ka përfunduar nënshkrimin me mesfushorin maroken Ayyoub Bouaddi me një kontratë pesë vjeçare”, thuhej në njoftimin zyrtar të klubit. “Mesfushori 18-vjeçar i bashkohet ekipit nga skuadra franceze Lille me një marrëveshje që do ta mbajë atë në stadiumin 'Etihad' deri në vitin 2031”, shtoi City.

Vetë Bouaddi nuk e ka fshehur entuziazmin për transferimin në Angli, duke e cilësuar kalimin te Manchester City si një ëndërr të bërë realitet.

“Manchester City është klubi më i mirë në botë. Është një ëndërr të jem këtu dhe të jem në gjendje ta quaj veten lojtar të Cityt”, deklaroi mesfushori pas firmosjes së kontratës.

Drejtori Sportiv, Hugo Viana, vlerësoi në veçanti “inteligjencën e tij të jashtëzakonshme futbollistike”, duke nënvizuar pjekurinë që Bouaddi ka treguar pavarësisht moshës së re.