Rrogozhinë - Në një konferencë për mediet nga stadiumi 'Arena Egnatia' në Rrogozhinë, trajneri Edlir Tetova ka konfirmuar largimin nga KF Egnatia në fundin e këtij sezonit, tre vite pasi u ul në stol. Ai ka thënë se ka komunikuar me presidentin Demrozi dhe i ka dorëzuar dorëheqjen, ndërsa do kërkojë trofeun e Superligës me ekipin.

“Desha të komunikoj që është një vendim që kam marrë për të ndarë rrugët me Egnatian në fund të këtij sezoni. Është vendim personal që kam marrë dhe për të cilin kam diskutuar me presidentin Demrozi.

Pasardhësi im? Presidenti është i zgjuar për zgjedhjen. Sigurisht vit pas viti, duke parë edhe ecurinë e ekipit tonë jemi munduar të bëjmë më mirë si në dalje dhe si në prurje. Kemi fituar 5 trofe dhe kemi qenë absolutë në çdo finale të mundshme. Pasardhësi juaj? Jo nuk kam folur për këtë. Është shumë shpejt. Të dalim pak nga kjo gjendje që jemi. Në rolin e trajnerit dhe ashtu si e sheh presidenti futbollin, besoj se do të bëjë një zgjedhje të zgjuar.

Final Four? Për nga ajo që Tetova mendon për futbollin, është pjesa e mosdorëzimit. Në 'Final Four' do të kërkoj maksimumin për të fituar titullin”, tha ndër të tjera Tetova për mediat.

Edlir Tetova u ul për herë në parë në stolin e Egnatias për tre muaj në vitin 2022, për t'u rikthyer më pas në fillimin e vitit 2023 si drejtor sportiv, para se më 27 janar të emërohej si trajneri i ekipit.

Gjatë kësaj kohe ai e ka drejtuar ekipin në 156 ndeshje (74 fitore, 43 barazime dhe 39 humbje), duke fituar pesë trofe. Egnatia nën drejtimin e tij ka fituar dy herë kampionatin shqiptar, dy herë Kupën e Shqipërisë dhe një herë Superkupën.

Ndërkohë edhe KF Egnatia njofton se 'trajneri Edlir Tetova ka paraqitur dorëheqjen e tij nga drejtimi i ekipit. Kjo dorëheqje është pranuar nga presidenti i klubit, z. Demrozi. Palët kanë rënë dakord që ky bashkëpunim të vazhdojë deri në fundin e sezonit. Të bashkuar dhe të fokusuar, ekipi do të japë maksimumin në çdo ndeshje për të arritur objektivat', shkruan klubi rrogozhinas.

Ekipi është në lojë që këtë sezon të jetë pjesë e 'Final 4' dhe të garojë për trofeun, i cili do ishte si 'qershia mbi tortë' për largimin e Tetovës. 

Kujtojmë që trajneri Tetova aktualisht është i dënuar me 3 muaj nga Komisioni i Disiplinës në FSHF dhe nuk e drejton ekipin nga stoli gjatë ndeshjeve.

Në fillimin e dhjetorit 2025 trajneri Edlir Tetova u operua me urgjencë në zemër dhe për disa kohë qëndroi larg ekipit, teksa duket se ka lënë pas problemet shëndetësore.