Zyrtari i DASH në Kosovë: Mbështesim përmirësimin e gjyqësorit dhe strukturat e sigurisë! Osmani: Pa SHBA, e pamundur të bëhemi pjesë e INTERPOL

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ndihmëssekretarin amerikan për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit, Todd Robinson. Zyrtari i DASH tha se SHBA-ja mbështet Kosovën që të përmirësojë strukturat e saj gjyqësore dhe të sigurisë.

“Fakti që jam këtu është për të treguar mbështetjen për atë që po bëni ju, për atë që po bën policia juaj, atë që po bëjnë shërbimet tuaja të sigurisë për qytetarët e thjeshtë të Kosovës. Mesazhi im për ta dhe për të gjithë ju është se SHBA-ja është këtu për të mbështetur përpjekjet tuaja për strukturat jetike të sigurisë dhe gjyqësorit. Ne po punojmë për një Kosovë më të mirë sot, por po ashtu po punojmë për një Kosovë më transparente, më të fortë dhe më të sigurt nesër për qytetarët e Kosovës”, tha ai, duke shtuar se gjatë vizitës do të takohet me zyrtarë nga Qeveria dhe nga sektori i drejtësisë.

Nga ana tjetër, Presidentja Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) është i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara.  Sipas saj, anëtarësimi në INTERPOL do të rriste kapacitetet e Kosovës në mënyrë që institucionet të përmirësonin përgjigjen “ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të sigurisë publike për secilin qytetarë të Republikës sonë, pa dallim”.

“Të vetmit që përfitojnë nga mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL janë kriminelët, në veçanti grupet kriminale transnacionale. Është dëshirë dhe vullnet i përbashkët i Kosovës dhe i SHBA-së që ata t’i luftojmë deri në fund dhe pa kompromis”, tha Osmani.

Osmani falënderoi Byronë amerikane të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të ligjit për mbështetjen dhe tha se ky institucion ka ndihmuar në themelimin e shumë institucioneve në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Forenzikës.

“Mbështetja e SHBA-së për Kosovën ka qenë prezent në çdo sektorë në çdo hap të shtetndërtimit”, tha Osmani.

Pas vizitës në Tiranë, Robinson do të jetë për vizitë dyditore në Kosovë nga sot deri më 22 mars. Robinson u prit edhe nga ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, i cili gjatë bisedës me zyrtarin e DASH tha se ndihet krenar me punën që po bëhet për të avancuar sundimin e ligjit në Kosovë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb