1 vit pa Maks Velon⁄ Arkitekti jep alarmin: Veprat e artistit po shiten në tregun e nëndheshëm!

7 Maj 2021, 16:44

Maks Velo u nda nga jeta një vit më parë, (7 maj të 2020-s), por për intelektual si ai vdekja nuk është kapitulli i fundit. Arkitekti Artan Shkreli na rrëfen si një in memoriam botimin e Akademisë së Shkencave, “Arkitekturë art popullor” në nderim të tij. 

“Maks Velo i mungon botës intelektuale, pasi ai nuk ishte intelektual i mirëfilltë, në kuptimin e një njeriu që domosdoshmërish bën opinion publik, por ai përcillte zërin e asaj pjese të opinionit publik që nuk e artikulonte dot mendimin përtej tavolinave apo rretheve të ngushta shoqërore. Ai kishte forcën ta nxirrte në media. Kjo, sepse i mungonin filtrat, që ne i kemi me bollëk. Madje ndonjëherë kemi aq shumë filtra në mendimin tonë, saqë ajo që themi nuk i shërben më as shoqërisë civile edhe as njeriut të thjeshtë. Në këtë kuptim mungesa e Maksit bëhet ulëritëse. Për këtë Maksi u stigmatizua nga institucionet, por mori edhe vlerësimin e arkitektëve, duke u shpallur i pari brenda komitetit të arkitektëve nga SHASH”, rrëfen arkitekti Artan Shkreli.
Shkreli e përshkruan Maks Velon, si një punëtor të madh, që kudo ku jetoi diti të militoi për punën në shërbim të të tjerëve.

Këtë e bëri dhe kur ishte në burg, duke projektuar godinën e komandës së burgut në Spaç me detaje që i kuroi vet. Njeriu i punës arrin që të nxjerrë të bukurën, duke bërë mbi normalen dhe në kushtet ekstreme të tij. Kështu Maksi edhe në burg mori disa materiale të gdhendura nga të burgosurit, duke nxjerr primitivitetin, që ishte e refuzuar nga akademikët e kohës. Ai lloj arti përçmohej si një art i ultë. Por, ai jo vetëm u dha zë, por i detyroi këta të burgosur, që të realizonin gdhendjet e veta.  Arti popullor shqiptar është i mbështetur mbi simbolin, kjo tregon shkallën e lartë të abstraksionit të atyre që e kanë lëvruar me kalimin e kohës. Sot kemi në duar botimin që nisi në të gjallë të Maks Velos, që ai nuk arriti ta shikojë dot edhe pse e kishte përzemër. Ka dhënë thelbin e një arti, që në qindra vite vetëm ishte ngërthyer në vetvete, por nuk qe shpërthyer si art”, shpjegon Shkreli.  

Ndërsa, akademiku Vasil Tole tregon se dhe pas vdekjes prezenca e artistit në Akademinë e Shkencave është edhe përmes statujës së ideuar prej tij, që u dorëzohet fituesve të çmimeve që ndan ky institucion