23 vite nga vrasja e Azem Hajdarit, avokati i Izet Haxhisë rrëfen prapaskenat e rihapjes së gjykimit: Nuk presim drejtësi

12 Shtator 2021, 22:34

Nata kishte disa orë që ishte shtruar në Tiranën e zymtë të asaj fund vere. Atë mbrëmje të 12 shtatorit të vitit 1998, Azem Hajdari vijonte të qëndronte në selinë e Partisë Demokratike. Lideri i lëvizjes studentore të fillim viteve ’90, doli nga selia e partisë më të madhe të opozitës së asaj kohe në orën 21:10 minuta. Me shumë mundësi Azem Hajdari nuk do t’a kishte menduar asnjëherë se ky do të ishte rrugëtimi i tij i fundit, nëpër shkallët e selisë së vjetër të Partisë Demokratike, e cila ishte vendosur në kryeqëzimin e rrugëve “Murat Toptani” dhe “Abdi Toptani”. E kishin njoftuar se dikush e kishte kërkuar poshtë. Nuk nguroi dhe zbriti. Sapo Azem Hajdari doli nda dera kryesore e selisë së partisë, dy badigardët e tij, Besim Çerja dhe Zenel Neza, nxituan t’a shoqëronin. Të tre po lëviznin në trotuarë. Sipas hetuesve, atë moment, ata nuk lëvizën më shumë se dhjetë metra. Brenda pak sekondash, në drejtim të 35-vjeçarit u qëllua me breshëri plumbash. Azem Hajdari u rrëzuar i vdekur në vend. Hetuesit, në bazë të informacioneve, hulumtimeve dhe dëshmive kanë arritur të krijojnë skemën e vrasjes së tij, për të cilën do të flasim në detaje pak çaste më vonë.