34 vjeçari u vra me plumb në kokë, po shkonte te dajat në Mirditë

4 Tetor 2019, 14:15

MIRDITË- Eri Zefi 34-vjeçari që u vra dy ditë më parë me plumb në kokë në Mirditë, ishte nisur për të shkuar tek dajat e tij në zonën e Fanit.  Sipas dyshimeve paraprake, atentatorët kanë qenë dy persona të cilët kanë ndjekur 34-vjeçarin nga Mirdita dhe më pas e kanë marrë peng duke e ekzekutuar në fshatin Zall-Xhuxhë.

Policia ka shoqëruar në komisariat disa persona të cilët më pas janë lënë të lirë, ndërkohë që në dëshmitë e tyre nuk është dhënë ndonjë detaj që mund të çojë në zbardhjen e ngjarjes.

Dyshohet se vrasja e 34-vjeçarit  ka ndodhur disa orë para se të gjendej i pajetë nga një banor i zonës. 

Eri Zefi njihej edhe me emrin Anton Zefi dhe kishte pasaportizimin në Adriatik të Kurbinit, por bashkë me familjen e tij jetonte në Durrës. 34-vjeçari ishte i martuar dhe ishte baba i një fëmije.

Dyshimet e para lidhur me këtë ngjarje bien pikërisht në një ngjarje të ndodhur pak muaj më parë ku vëllai i tij Ndue Zefi vrau me armë Martin Ndrecën në sy të djalit të tij 10-vjeçar. Kjo ngjarje ka ngritur dyshimet se vrasja e Eri Zefit ditën e sotme mund të jetë kryer për shkaqe hakmarrje nga të afërm të viktimës që vëllai i tij la më 24 shkurt të këtij viti.

Pak kohë pas vrasjes Arben Ndreca, vëllai i Martin Ndrecës tha në një rrëfim për Shqiptarja.com, se vëllai i tij nuk u vra për çështje nderi, siç u përfol në disa media. Sipas tij konflikti mes vëllait të tij dhe Ndue Zefit ka ndodhur për një sherr krejtësisht banal në një lokal: "Pse më shikon".