MIRDITË- Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur në fshatin Zallë Xhuxhë në Fan të Mirditës. Viktima është Eri Zefi, 34-vjeç, me pashaportizim në Adriatik të Kurbinit, por që nuk jetonte aty. Ka qenë një banor i zonës i cili ka pikasur trupin e viktimës në një kanal dhe menjëherë ka njoftuar policinë në lidhje me ngjarjen. Viktima u gjet i vrarë rreth orës 16:00 të së mërkurës në një zonë të pyllëzuar 50 metra larg rrugës së Kombit.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se Eri Zefi është qëlluar me një plumb në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Dyshimet e policisë janë se ai mund të jetë vrarë gjatë natës së kaluar, ndërsa ende nuk dihet nëse është ekzektutuar në vendin ku është gjetur apo mund të jetë sjellë i vrarë aty. Në vendin e ngjarjes janë gjetur njolla të mëdha gjaku. Vendi ku u gjet viktima është zonë e pabanuar, çka vështirëson punën e grupit hetimor për të zbardhur dinamikën e krimit. Ndërkohë në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë apo provë tjetër meteriale, çka hedh dyshime se autorët mund të kenë qenë  vrasës profesionist. Ndërkohë pritet kryerja e ekspertizës mjeko-ligjore në trupin e viktimës për të parë mënyrën se si mund të jetë ekzekutuar 34-vjeçari Zefi.

Viktima Eri Zefi

Në lidhje me këtë ngjarje policia ka shoqëruar disa persona në polici si dhe po merren në pyetje familjar të viktimës për të mësuar më tepër rreth veprimtarisë së tij.  Të njëjtat burime bëjnë me dije se Eri Zefi është vëllai i Ndue Zefit, ky i fundit në shkurt të këtij viti ka vrarë fqinjin e tij 45-vjeçarin Martin Ndreca, pas një sherri banal. Kjo ngjarje ka ngritur dyshimet se vrasja e Eri Zefit ditën e sotme mund të jetë kryer për shkaqe hakmarrje nga të afërm të viktimës që vëllai i tij la më 24 shkurt të këtij viti.

Viktima Eri Zefi

Vendi ku u gjet i vrarë Eri Zefi

Martin Ndreca u vra në sy të djalit të tij 10-vjeçar. Fqinji i tij Ndue Zefi nuk ka pyetur që fqinji i tij në makinë kishte edhe të birin. Pak kohë pas vrasjes Arben Ndreca, vëllai i Martin Ndrecës tha në një rrëfim për Shqiptarja.com, se vëllai i tij nuk u vra për çështje nderi, siç u përfol në disa media. Sipas tij konflikti mes vëllait të tij dhe Ndue Zefit ka ndodhur për një sherr krejtësisht banal në një lokal: "Pse më shikon".

Policia njofton se grupi hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të saj. Ndërkohë burime për Report Tv bëjnë me dije se zona ku ndodhi vrasja është disa kilometra larg qendrës së Rrëshenit në një zonë të thellë malore. Të njëjtat burime bëjnë me dije se policia ka ngritur disa pika kontrolli si dhe po bën kontrolle të zonës për të kapur autorin ose autorët.


Kjo është vrasja e tretë që shënohet në dy ditë në vendin tonë. Vetëm një ditë më parë, teksa pinte kafen e mëngjesit u ekzekutua me kallashnikov Besnik Hida, ndërsa në mesditë për shkaqe pronësie, Sali Dakuci vrau vëllanë, Kujtim Dakuci dhe nipin Flogert Dakuci. Më pas Dakuci qëlloi edhe veten.

Viktima Martin Ndreca, i cili u vra nga vëllai i Eri Zefit, Ndue Zefi