61-vjeçarja në Maliq gjendet e varur, motra akuzon kunatin! E bija e viktimës për Report Tv: Po na shtoni dhimbjen, babai nuk vret dot asnjë mizë

22 Qershor 2021, 14:54 | Përditesimi i fundit: 2021-06-22 18:03:44

KORÇË- Vdekja e 61-vjeçares Fiqirie Mançe në Maliq ka çuar në një konflikt mes familjarëve të së ndjerës dhe bashkëshortit, Faton, të cilin e akuzojnë për vrasje e saj. Mesditën e së enjtes, 17 qershor, 63-vjeçari ka deklaruar se ka gjetur të shoqen e tij të varur të litar në ambientet e shtëpisë, ndërsa ka lajmëruar familjarët dhe ka kryer ceremoninë mortore pa dakordësinë e motrës së të ndjerës. Ajo ka pretenduar se motrën mund t'ia ketë vrarë kunati, ndaj ka bërë denoncim në komisariatin e Maliqit 4 ditë pas ngjarjes tragjike, më 21 qershor. Përballë këtyre akuzave, 63-vjeçari ka kërkuar zhvarrimin e trupit dhe ka deklaruar në polici se "jam i gatshëm të përballem para ligjit nëse provohet se e kam vrarë unë". Report Tv me gazetaren Gladiola Hoxha kanë shkuar sot në banesën e çiftit Mançe në fshatin Kolanec dhe ka zhvilluar një bisedë më vajzën e vogël të çiftit. Lotët dhe dhimbja ia bëjnë shumë të vështirë që të flasë për këtë ngjarje të rëndë, por gjen forcën për të mbrojtur babanë që sot të afërmit e saj po e akuzojnë si "vrasësin e nënës". Vajza ka deklaruar se nuk ka aspak dyshime te babai i saj, që i ka edukuar shumë mirë. Ajo thotë se këto akuza ia kanë përforcuar edhe më shumë dhimbjen. "Vdekjen e mamit tim unë e mora vesh në darkë në orën 21:59 minuta, isha te burri, sapo kisha rënë në gjumë bashkë me vjehrrin dhe vjehrrën dhe më ka marrë babi në telefon dhe më ka thënë "ma jep pak vjehrrin dhe vjehrrën", se mua nuk më ka thënë se kam qenë me shumë ankth dhe kam përjetuar shumë sëmundje këto kohë dhe vjehrri dhe vjehrra. Babi i kishte treguar gjithçka motrës së madhe, pashë makinën e djalit të tezes që kishte ardhur pastaj djali i tezes më tregoi që ka kryer këtë vepër. Pastaj shikoj shapkat e mamit në vendin e ngjarjes, karrigen atje jashtë oborrit, pastaj fillova të dyshoja, e pashë dhe vijën e litarit që ishte e nxirë, pa asnjë shenjë tjetër, të vetmen shenjë atë kishte. Ajo kishte kriza të mëdha, ishte e ngarkuar emocionalisht, nuk dyshoj aspak te babai, unë isha shumë e lidhur me mamin dhe nuk dyshoj as a 0.0001% te babi. Babi na ka edukuar me fjalë, jo me dhunë, nuk na ka prekur asnjë fije floku, ai nuk ishte në gjendje që të prekte asnjë mizë e e jo më të kryente atë vepër. Kur mami është sëmurë ka thënë "ndiqeni, vetëm që të ma mbajë derën hapur. Babi i ka shërbyer mamit për 37 vjet dhe kushdo që hedh baltë dhe do të tjetërsojë të vërtetën do t'i kundërpërgjigjemi. Plus dhimbja e nënës dhe opinioni i të tjerëve se tashmë u mor vesh, dhe na vret edhe gjendja në të cilën babi është në këto momente", ka thënë ajo për gazetaren Gladiola Hoxha. Vajza rrëfen se nuk e dinte që duhej të deklarohej në Polici që nëna kishte vrarë veten. Ajo thekson se nuk kanë pasur kurrë qëllimin për të "fshehur krimin". Burimet thanë se nesër (23 qershor) do të kryhet zhvarrimi i kufomës dhe ekspertiza e mjekësisë ligjore pritet të nxjerrë shkakun e vërtetë të vdekjes, por vajza është kundër pasi sipas saj "nënës nuk po i gjen shpirti qetësi as atje lart ku ka shkuar". "Unë personalisht nuk munda që të lajmëroja se personalisht dhe shumë rregulla nuk i dija, ishte veprim i padjallëzuar që "obobo ta fshihnim krimin", thjeshtë po e vuanim atë dhimbje. E para është lajmëruar motra e madhe, dhe pastaj unë, se mua nuk m'u tha e vërteta prej gjendjes shëndetësore që unë kam, motrës i kishte treguar të vërtetën, pastaj të tjerëve të gjithëve me radhë, djalit të tezës, djalit të xhaxhait. Me sa informacion kam është thënë që do vijë ekspertiza nga Tirana që të bëjë zhvarrosjen, por veprim nuk më duket i nevojshëm se nuk kam aspak pasi unë nuk kam dyshime të babai im, ajo për dhimbjet që kishte nuk gjeti rehati as në tokë dhe do më vinte keq që s'do e linin rehat as aty ku ka rënë", tha ajo.