Një rrëfim mbi jetën dhe krijimtarinë e Xhevahir Spahiut, shoqëruar me copëza kujtimesh, vargje të poezive të tij dhe muzikë, ka qenë mbrëmja e kësaj të hëne në aktivitetin kushtuar poetit me rastin e 80-vjetorit të tij të lindjes. “80 vjet udhëtim poetik i Xhevahir Spahiut” solli për të pranishmit edhe pjesë nga dokumentari, që regjisori Bashkim Rodoni, organizator i aktivitetit, po përgatit për artistin.
I biri i Xhevahirit, Orges Spahiu rrëfen se shpesh, si poet i fjalës dhe shpirtit të lirë, vendimet e të atit kanë qenë të tilla, që mund të çonin të gjithë familjen në zgrip dhe në buzë të honit gjatë periudhës së komunizmit.
“Vendimet e tua ishin në zgrip, buzë honit. Mjaftonte një hap më tutje dhe të gjithë binim në humnerë. Ke pasur mundësi që të shkoje dhe më tutje me fjalën, dhe më guximshëm të veproje por ke pasur dhe një gjendje të brendshme, njerëzore, e cila ka ruajtur familjen tonë.”, - nënvizon Orges Spahiu.