Tetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme janë arrestuar ditën e sotme dhe një tjetër është lënë në 'arrest shtëpie', pasi një operacioni antikorrupsion nga SPAK, në lidhje me abuzimet me prokurimet publike. Më konkretisht, operacioni është ndërmarrë në lidhje me abuzimin me tenderin e uniformave të policisë me vlerë 27 milionë euro, ku mes të arrestuarve është edhe ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, e cila iu shkarkua nga kjo detyrë më 2 korrik, vetëm një javë më parë, si pjesë e ristrukturimit të kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit, që Kryeministri Rama dhe Ministri Çuçi e njoftuan më herët.
Urdhër arresti janë lëshuar po ashtu edhe për anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj. Ndërkohë është lënë në 'arrest shtëpie' Anisa Bogdani, e cila ishte anëtare e njësisë së prokurimit. Po ashtu SPAK ka kryer kontrolle edhe në banesat e të arrstuarve.Hetimet kanë nisur për disa tendera të dyshimte nga Agjencia e Përqendruar në Ministrinë e Brendshme. Prokurori i SPAK, Dritan Premçi ka kërkuar nga GJKKO arrestimin e 9 zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme.















