Adriatik Doçi në Repolitix: Ilir Meta mund të japë dorëheqjen për të ruajtur privilegjet, shkarkimi i heq të gjitha përfitimet personale dhe familjare

8 Qershor 2021, 22:27

Kuvendi do të votojë nesër raportin e përgatitur nga Komsioni Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta për shkelje të rënda ligjore. Gazetari Adriatik Doci tha në emisionin 'Repolitix' në Report Tv se Meta mund të japë dorëheqjen duke ruajtur privilegjet dhe thekson se shkarkimi i heq të gjitha përfitimet personale.

“Në raportin prej 100 faqesh janë faktuar mbi 30 shkelje rënda të Ilir Metës, disa prej të cilave me natyrë penale. Në raport janë referuar edhe precedentë nga vendet demokratike në Evropë dhe më gjerë, kur Gjykatat Kushtetuese kanë shkarkuar Presidentët për shkelje më të lehta se sa Meta, ku kanë mbështetur parti të caktuara, duke dalë jashtë rolit të përfaqësuesit të unitetit të popullit dhe paanshmërisë. Kështu që edhe Meta është i bindur për shkarkimin. Ka shumë mundësi që në këto rrethana, Meta të japë dorëheqjen si Presidentit para se vendimi i shkarkimit nga Kuvendi të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Pse mund ta ndërmarrë këtë veprim? Duke dhënë dorëheqjen, Meta ruan privilegjet si ish president, për vetë dhe për familjen e tij. Privilegjet janë pasaporta diplomatike, roje, makinë, shoqërues, ruajt nga Garda për 5 vite, shpërblime financiare etj”- tha Doçi.