Ministri Taulant Balla thotë se ka besim tek drejtësia e re se do bëjë detyrën në zbardhjen e plotë të aferën se privatizimit të klubit Partizani. I ftuar në Report Tv, Balla, i cili është edhe një prej kallëzuesve të kësaj çështje në SPAK, thotë se privatizimi i klubit të Partizanit është forma më e qartë e korrupsionit, se si një kryeministër përdor zyrën, karrigen, firmën për të krijuar favore për të afërmit e tu.
“Mënyra e privatizimit të Partizanit ka qenë dhe mbetet një nga format më të qarta të asaj çfarë është korrupsioni. Të përdorësh zyrën, karrigen, firmën, që të ka besuar populli apo parlamenti si kryeministër, të krijosh favore për të afërmit e tu. S’ka njeri në Shqipëri që nuk e beson pastërtinë dhe provueshmërinë e veprave penale në këtë dosje. Kjo çështje i takon drejtësisë. Që nga momenti kur SPAK ka iniciuar një procedim dhe ka marrë persona në hetim dhe ka ngritur akuzat, s’kam bërë asnjë koment duke qenë se jam personi që kam bërë kallëzimin, kam besim se drejtësia do bëjë detyrën e saj”, tha Balla për gazetarin Arbër Hitaj.