Agjencia Europiane e Barnave: AstraZeneca është e sigurtë dhe efektive! Nuk ka asnjë lidhje me rastet e mpiksjeve të gjakut

18 Mars 2021, 19:40

Në një raport të publikuar nga EMA , Agjencia Evropiane e Barnave, ka arritur në përfundimin se vaksina Oxford-AstraZeneca kundër Covid-19 është "e sigurt dhe efektive".

Agjencia Evropiane e Barnave tha se do të vazhdojë të studiojë lidhjet e mundshme midis mpiksjeve të rralla të gjakut dhe vaksinës, por theksoi se ata do të vazhdojnë të mbajnë studimet të mëtejshme.

Hetimi EMA u përqendrua në një numër të vogël të rasteve të çrregullimeve të gjakut të pazakonta, në veçanti, ajo po shikonte rastet e trombozës venoze cerebrale - mpiksjen e gjakut në kokë.

”Vaksina e Asrazeneca është e sigurte dhe efektive. Ndihmon në mbrojtjen e njerëzve nga COVID-19.  Studimet tregojnë se në fakt shkalla e efektshmërisë është më e lartë se ajo e raportua. Ne bëmë një rishikim të shpejtë për këtë. Nuk është e jashtëzakonshme të përballemi me një situatë të tillë dhe të studiojmë nëse ka një lidhje me të.  Informacionet e marra sot i lejojnë shtetet të marrin vendimet për të rikthyer vaksinimet e pezulluara.'- tha Presidentja e EMA, Emer Cooke.

Debati për vaksinën AstraZeneca erdhi pasi disa shtete kryesore të BE-së si Gjermania apo Italia, e kishin pezulluar përkohësisht përdorimin e kësaj vaksine. Vendimet për të pezulluar përdorimin e vaksinës ngjallën shqetësime mbi ritmin e vaksinimit në rajon, i cili tashmë ishte prekur nga mungesat e furnizimit. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u bëri thirrje të enjteve vendeve që të vazhdojnë përdorimin e vaksinës.

Edhe në Shqipëri disa mësues hezituan fillimisht që të merrnin dozën e vaksinës AstraZeneca, ndërkohë që tashmë EMA ka konfirmuar se kjo vaksinë është e sigurtë dhe efektive. Në vendin tonë që prej ditës së shtunë (13 Mars) ka nisur vaksinimi anti-COVID, i mësuesve dhe pedagogëve me vaksinën AstraZeneca. Ministrja Manastirliu njoftoi një ditë më parë se tashmë janë të mbrojtur nga koronavirusi 2.664 mësues, pas marrjes së dozës së parë. Vaksinimi ka nisur në disa qytete si Tirana, Lezha, Kukësi, Durrësi, Korça, Lushnja dhe pritet që procesi të shtrihet në të gjithë vendin.