Aksion antidrogë në Vlorë, priten 41 urdhër-arreste! 27 të arrestuar, 2 në kërkim! Në pranga trafikantë, shefa e policë të Himarës! Dosja mund t'i kalojë SPAK

14 Dhjetor 2020, 16:44

VLORË- Efektivë të policisë qarkut Vlorë, kultivues dhe trafikantë droge janë arrestuar me urdhër të prokurorisë së Vlorës, pasi janë përfshirë në kultivimin e drogës. Operacioni i paralajmëruar qysh prej fillimit të muajit Tetor 2020 nga “Shqiptarja.com”, ka nisur të zhvillohet në orët e para të mëngjesit të sotëm në Vlorë dhe disa fshatra të qarkut Vlorë e deri në Tepelenë, ku personat e ndaluar janë implikuar në financimin, kultivimin dhe më pas trafikimin e drogës.

Në këtë zinxhir kriminal, është arritur të zbulohet dhe veprimtaria implikuese e disa punonjësve të policisë së Vlorës, për të cilët është kërkuar arrestimi. Mësohet se bëhet fjalë për 41 urdhër-arreste, ku deri në këtë fazë një pjesë e personave të proceduar janë arrestuar ndërsa pjesa tjetër vijon të jetë në kërkim. Ende nuk dihet me saktësi se cilët janë emrat e personave të arrestuar, por “Shqiptarja.com” mëson se zanafilla e këtij hetimi është pikërisht kultivimi i një parcele me plot 6790 rrënjë kanabis, parcelë e cila pas zbulimit nga policia dhe prokuroria, solli reagimin e kryepolicit Ardi Veliu,i cili urdhëroi pezullimin e 12 efektivëve të policisë dhe për 10 punonjës të tjerë u vendos masë disiplinore. Parcela e zbuluar në fund të muajit shtator 2020, ishte në një teren të sheshtë dhe shumë e dukshme nga syri i njerëzve, pasi ndodhej buzë një rruge, pranë një stani.

Deri në këtë faze, mësohet se është proceduar për “Kultivim të lëndëve narkotike” edhe pronari i tokës, i cili kishte ndërtuar shumë pranë parcelës me drogë dhe një stan delesh. Ndërkohë në vijim janë kryer sot arrestime të personave të implikuar në këtë çështje, ku pa dyshim janë dhe disa prej policëve të Drejtorisë Qarkut Vlorë. Duke iu referuar burimeve, ata kanë pasur dijeni të plotë për ekzistencën e parcelës dhe personat që kryenin kultivimin e saj, por në asnjë moment nuk kanë ndërhyrë dhe aq më tepër, nuk kanë raportuar situatën tek eprorët e tyre. Parcela prej 6790 rrënjë kanabis, që u asgjësua në fund të muajit shtator, në zonën e Vlorës, i përket një grupi shumë të fuqishëm që vepron në Vlorë dhe Tepelenë.

Aktualisht hetimet vijojnë dhe ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë që këtë dosje t'ia kalojnë për hetime të mëtejshme prokurorisë së posaçme SPAK, për shkak të implikimit të shumë funksionarëve shtetërorë në këtë çështje. Momentalisht që prej shtatorit, parcela me 6790 rrënjë kanabis është asgjësuar totalisht nga policia dhe nën mbikëqyrjen e prokurorëve të Vlorës. Sasia e drogës mësohet të jetë djegur me benzinë. Ky është rasti i parë në Vlorë gjatë këtij viti që asgjësohet një parcelë kaq e madhe e mbjellë me drogë. Lidhur me këtë çështje janë pezulluar nga detyra inspektorë zonash dhe shefa në Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Mes të pezulluarve nga detyra është drejtuesi i Komisariatit të Vlorës, Edmond Pjetri dhe ai i Himarës, Arjan Tase, shefi i krimeve në Himarë, shefi i stacionit policor në Selenicë. Kjo "furtunë" te blutë e qytetit bregdetar vjen pak ditë pas operacionit të bërë ku nga kontrollet e territorit nga toka dhe ajri, me dronë u evidentua parcelat me kanabis, më konkretisht në fshatrat Bolenë dhe Vërmik të Vlorës.

Bilanci i operacionit
41 urdhër arreste
27 të arrestuar
5 të shpallur në kërkim
5 arrest shtëpie
5 detyrim paraqitje
Kontrollohen 41 banesa
Aksioni ka nisur rreth orës 03:00 
Në 6 muaj hetime në territoret e Bashkive Selenicë dhe Himarë, janë sekuestruar 120.9 kg lëndë e dyshuar narkotike, janë sekuestruar 4 armë gjahu, dylbi, një pistoletë sportive, 39 telefona celular