Aktivitetet kulturore/ Stina koncertore, ‘Valsi i mjelmës’ dhe ‘Symphodance energy’ në Universitetin e Arteve! ‘Fajtori’, shfaqje në teatrin ‘Zihni Sako, Gjirokastër

16 Janar, 15:30

Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. Koncerti “Peçi, Ravel, Brahms” rikthen stinën koncertore të Orkestrës Simfonike të RTSH-së. Koncerti, i pari për vitin 2025 do të drejtohet nga dirigjenti Gridi Kraja dhe do të mbahet me 17 Janar në orën 18:00 në Sallën e Universitetit të Arteve. Programi do të hapet me “Valsi i mjelmës” dhe “Symphodance energy” nga kompozitori Aleksandër Peçi, të cilat vihen në skenë për herë të parë, për të vazhduar me Maurice Ravel “Tzigane”, e interpretuar nga violinistja Laura Llozi dhe do të mbyllet me “Simfonia Nr.2” të Johannes Brahms.

2. Koncerte ‘live’ dhe muzikë tradicionale, hapësira argëtimi për fëmijë, panair i produkteve tradicionale, aktivitete aventure, treg artizanal, konkurs fotografie etj., janë pjesë e festivalit “Puka n’Fest 2025”, që do të mbahet në Pukë më 17, 18 dhe 19 janar. Ky festival dimëror ka si synim të transformojë turizmin në këtë qytet.