Anuloi 30 qershorin! Rama: Dje Meta e humbi të drejtën të qëndrojë në atë zyrë

9 Qershor 2019, 14:37 | Përditesimi i fundit: 2019-06-09 22:27:10

Ndonëse presidenti Ilir Meta njoftoi ditën e djeshme anulimin e datës e zgjedhjeve lokale të parashikuara për t'u mbajtur me 30 qershor, kryeministri Edi Rama vijon axhendën e tij elektorale.

Paraditen e sotme ai ishte në Burrel nga ku foli për vendimin e presidentit Ilir Meta, duke thënë se ditën e djeshme ai shkroi fatin e tij dhe humbi të drejtën për të qëndruar në atë zyrë.

Kryeministri deklaroi se akti që paralajmëroi presidenti i Republikës, 'politikisht është vetëvrasje, ligjërisht është nul dhe moralisht është turp dhe s'ka më turp'.

Ai shprehu vendosmërinë se zgjedhjet do mbahen do apo s'do Saliu apo fallxhorja.

Kreu i qeverisë foli edhe për rrugën e Arbrit, teksa deklaroi   se punimet në këtë aks do bëjnë të mundur që brenda 4-vjeçarit të ardhshëm rruga nga Burreli në Tiranë do bëhet brenda orës.

Presidenti njoftoi ditën e djeshme pak pas nisjes së protestës së tetë kombëtare të opozitës së bashkuar se do të anulojë dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit. Kreu i shtetit, nuk ka caktuar datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve. Në një deklaratë për mediat shpërndarë në nisje të protestës të tetë të opozitës jo parlamentare kundër qeverisë, Meta deklaroi se ky vendim vjen pasi asnjë nga palët politike nuk ka reflektuar për zgjidhjen e krizës.

Pas shkeljes së rëndë të Kushtetutës nga kreu i shtetit, Partia Socialiste mësohet se ka nisur menjëherë lëvizjet për të mundësuar shkarkimin e Ilir Metës si President i Republikës. Sipas burimeve, socialistët do të përgatisin procedurën për shkarkimin e Metës me dy të tretat e votave të Parlamentit.

    No videos found.