Armando Sadiku flet për të ardhmen: Të përsërisim historinë e 2016, e prisja ftesën

9 Qershor 2023, 13:07

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan me Moldavinë dhe Ishujt Faroe për Euro 2024. Për mediet ka folur edhe Armando Sadiku, sulmuesi që rikthehet në ekip pas tre vitesh.

“E prisja se trajneri do të më thërriste, sepse që kur u emërua më ka marrë në telefon dhe kemi komunikuar. Kur më ka ardhur ftesa kam qenë shumë i gëzuar. Pashë djem të ri, disa i njoh dhe është krijuar një grup shumë i mirë. Kualiteti është shumë i madh, jemi të gjithë bashkë këtu për një qëllim", tha sulmuesi.

Më pas Sadiku foli edhe për të ardhmen, duke thënë se Cartagena i ka ofruar edhe një tjetër vit kontratë.

"Është e vërtetë që te Cartagena kisha një vit kontratë, ditët e fundit ata më ofruan një vit tjetër kontratë dhe i kërkova pak kohë për shkak se isha me kombëtaren. Kur të mbaroj ndeshjet me Shqipërinë do t’i jap një përgjigje ekipit tim. Kemi shumë kualitet vetëm të shikosh se ku luajnë mesfushorët e kombëtares sepse nuk i kemi pasur ndonjëherë. Ne sulmuesit duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe të shënojmë gola nga topat e tyre. Moldavia do të rrijë në mbrojtje dhe ne kemi shumë besim te mesfusha që do të na furnizojnë me topa. Jam shumë i bindur se historia e 2016 mund të përsëritet", vijoi Sadiku.