Arrestim spektakolar në Kurbin nga policia me Dron!

23 Korrik 2021, 09:39 | Përditesimi: 23 Korrik 2021, 09:39

Vijojnë operacionet nga Policia e Kurbinit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore. Vihet në pranga një 42-vjeçar i shpallur në kërkim, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes së pronës. Kapja, pas disa minutash ndjekjeje dhe mbajtjeje nën vëzhgim me dron nga shërbimet e Policisë. Gjithashtu, arrestohet në flagrancë fqinji i tij, për veprat penale "Kundërshtimi i punonjësit të Policisë" dhe "Përkrahja e autorit të krimit". Shërbimit e Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar punën për kapjen e tij. Si rezultat kanë bërë të mundur që pas disa minutash ndjekjeje dhe mbajtjeje nën vëzhgim me anë të dronit të kapnin dhe të arrestonin shtetasin: Ervin (Astrit) Kasmi, 42 vjeç, banues në Fushë Milot, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e vjedhjes së pronës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin e ka dënuar me 3 vite burgim, për veprën penale "Vjedhja", kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. B., 41 vjeç, banues në Fushë Milot, pasi ka penguar punonjësit e Policisë në kryerjen e detyrës duke i kundërshtuar ata dhe ka ndihmuar shtetasin Ervin Kasmi të fshihet në banesën e tij. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

r.k./Shqiptarja.com