Atentati ndaj dy vëllezërve në Elbasan, asnjë i ndaluar, ndihmë nga Italia dhe Belgjika

7 Korrik 2019, 14:47

Kur ka kaluar një javë nga atentati që iu bë dy vëllezërve Aldo dhe Klevi Baho, ku mbeti i vrarë ky i fundit, policia e Elbasanit nuk ka ende një autor të ndaluar apo të dyshuar.

Oficerët e Elbasanit, nën drejtimin edhe të një grupi të posaçëm hetimor të ngritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me anë të letërporosive,u kanë kërkuar autoriteteve Italiane e atyre Belge të dhëna për aktivitetet që dy vëllezërit kryenin jashtë territorit Shqiptar, kjo për shkak se rezultojnë të dënuar jashtë vendit.

Viktima, Klevi Baho kishte vetëm një muaj që kishte dalë nga burgu në Belgjikë, ku ishte dënuar për akuzën e vjedhjes. Një emër jo pak i njohur për drejtësinë Italiane është edhe vëllai i tij, Aldo Baho, i cili disa vite më parë i shpëtoi mrekullisht një atentati në Itali.

Atentati ndaj dy vëllezërve Baho ndodhi një javë më parë në fshatin Murras të Elbasanit. Autorët pasi qëlluan me breshëri plumbash mbi makinën me të cilën po udhëtonin dy vëllezërit, u larguan menjëherë prej andej. Ndërsa dyshimet për ngjarjen, vijojnë të jenë ato për larje hesapesh e konflikte të vjetra.