TIRANE- Redjan Rraja 34-vjeç, kushëriri i deputetit Rrahman Rraja është personi i arrestuar nga policia, i cili dyshohet si i përfshirë në atentatin e katër ditëve më parë në mbikalimin e Shkozetit, ku u qëllua me breshëri automatiku ndaj makinës me të cilën udhëtonte prokurori i Durrësit, Arjan Ndoji dhe Landi Muharremi, i njohur si “i forti i Sukthit”.
Ai është arrestuar nga policia e Tiranës mbrëmjes e të hënës, ndërsa sipas burimeve të Report Tv, bazuar te grupi hetimor ka prova të mjaftueshme që e fajësojnë në ngjarje, por priten edhe rezultatet nga ekspertiza për provat e gjetura në automjet për të thënë fjalën e fundit.
Rraja ra në pranga pas një kontrolli të ushtruar nga Renea dhe Policia e Durrësit me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda kanë vijuar kontrollet në 20 banesa në 5 qytete të ndryshme, Krujë, Fushë-Krujë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan. Deri më tani janë shoqëruar 14 persona të cilët pasi janë marrë në pyetje janë lënë sërish të lirë.
Rreth orës 16:30 të ditës së premte Arjan Ndojës iu bë atentat te mbikalimi i Shkozetit në Durrës. Prokurori ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, aktualisht shofer i prokurorit.
Makinës 'Benz' me targë AA 333 ZD (që rezulton në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurori Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet, duke i lënë të tre të plagosur.
Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private, një 'Benz CLS' që dyshohet se ishin të njohur të të plagosurve. Më rëndë ndodhet shoferi Andi Maloku 30 vjeç, i cili ka marrë një plumb në gjoks dhe ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërsa prokurori Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi, që njihet me disa emra ndodhen jashtë rrezikut për jetën.