Atentati ndaj prokurorit/ U zbulua nga 'pështyma' në maskë, arrestohet në Shkodër kushëriri i deputetit të PS! Po largohej drejt Malit të Zi

5 Nëntor 2019, 13:08 | Përditesimi i fundit: 2019-11-05 14:53:22

TIRANE- Katër ditë pas atentatit ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja teksa udhëtonte në makinë me shoferin e tij dhe një person me precedentë penalë, Landi Muharremin njohur si i forti i Sukthit, policia ka vënë në pranga një të dyshuar si autorin kryesor që dyshohet të ketë qëlluar ndaj makinës së prokurorit pranë Mbikalimit të Sukthit duke i lënë të tre të plagosur.

Në pranga ka rënë 34-vjeçari Redjan Rraja, kushëriri i deputetit socialist Rrahman Rraja. Ka qenë pikërisht një provë e fortë e mbetur në makinën që autorët braktisën pas atentatin në Shkafane të Ishmit. Pështyma e gjetur në një nga maskat e lëna në makinë (e cila nuk u dogj), ka çuar në identifikimin dhe zbulimin e rrahman Rrajes, i cili është arrestuar në Shkodër, në tentativë për tu larguar drejt Malit të Zi mbrëmjen e së hënës. Vetë Redjan Rraja ka mohuar të ketë lidhje me atentatin, megjithatë prova në duart e hetuesve është mjaft e fortë dhe e përfshin atë si një nga personat që ka qëlluar me breshëri automatiku ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja. Bashkë me maskat, në makinën që autorët nuk mundën dot të digjnin pasi e braktisën, veç maskave të fytyrës policia gjeti edhe dy armët automatike, pra dyshimet janë që të kenë qenë dy personat që lëshuan breshërinë ndaj makinës në ecje. Mercedez Benz  (që rezulton në pronësi të Fadil Çallikut) dhe që drejtonte shoferi i prokurorit, Andi Maloku, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës.

Në momentin e arrestimit në Shkodër, i janë sekuestruar edhe dy aparate celulare të cilat nuk janë zhbllokuar ende nga grupi hetimor, por cilësohen si në provë kyçe që mund të çojë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Redjan Rraja është me profesion stomatolog  dhe ka klinikë dentare në Fushë- Krujë, ndërsa jetonte mes Shqipërisë dhe Kanadasë. Emri i Redjan Rrajes u lakua në dosjen e dhunimit të Xhisiela Malokut nga kushëriri i tij, Rexhep Rraja (djali i deputetit Rrahman Rraja). Gjithashtu, ai ka qenë i pranishëm në tavolinë me Elton Çiçon, me të cilin kishte lidhje familjare, në momentin kur Çiço u ekzekutua në atentat në lokalin "De Niro" në zonën e ish-bllokut në Tiranë në 1 maj 2016.

Rraja u arrestua pas kontrolleve të shumta që RENEA dhe Policia e Durrësit nisën me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, duke në 15 banesa në Krujë, Tiranë dhe Lushnje, ndërsa në verifikim janë edhe 3 persona të tjerë. Deri më tani janë shoqëruar 14 persona të cilët pasi janë marrë në pyetje janë lënë sërish të lirë.  

Sipas policisë, si rezultat i këyre kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan prova materiale që dyshohet se kanë lidhje me autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje.

Pas breshërisë së tetë plumbave makina e prokurorit doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private, një 'Benz CLS' që dyshohet se ishin të shoqëruesit e Landi Muharremit.

    No videos found.