Atentati në Fushë-Krujë, Gentian Bejtja u ekzekutua me 30 plumba, u qëllua nga afër! Shoqërohet Valter Bami

16 Mars, 11:33 | Përditesimi i fundit: 2024-03-16 15:29:45

Një grup hetimor po punon për të zbardhur autorët dhe motivin e ekzekutimit të Gentian Bejtaj pasditen e 15 marsit 2024 në oborrin e banesës së tij, në fshatin Larushk të Fushë-Krujës. 

Ish-polici, i cili i kishte shpëtuar tre herë atentateve, - i fundit ai i korrikut të një viti më parë - jetonte larg shtëpisë së tij - por dje kishte shkuar të takonte të ëmën e cila jetonte e vetme, ndërsa fëmijët dhe bashkëshorten e kishte dërguar jashtë.

Armiqtë mesa duket e kishin mbajtur nën vëzhgim 43 vjeçarin. Besohet se informatori ka qëndruar ditë natë pranë shtëpisë së tij, për muaj më rradhë. Burimet bëjnë me dije se ai u qëllua me 30 plumba nga një distancë e afërt. Pjesa më e madhe e plumbave e ka kapur në fytyrë dhe në trup.Dyshohet se 4 persona kanë marrë pjesë në atentat. 

Për këtë ngjarje mbrëmë është shoqëruar në polici, Valter Bami, i cili u arrestua si autor i dyshuar edhe për atentatin ndaj Bejtjas në 4 korrik të 2023 por më pas u la  në masën e sigurisë 'arrest shtëpie' pasi nuk u gjetën prova se kishte lidhje me këtë krim.