Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin e bërë ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Burime të sigurta për Report Tv bëjnë me dije në makinën e prokurorit, me të cilin po udhëtonte momentin që iu bë atentat janë gjetur tre dosje. Por cila ishte përmbajtja e tyre dhe a mund të ndihmojnë për të zbardhur motivet e këtij atentati? Dyshimet janë se ato dosje, janë dokumente që u grabitën nga Prokuroria e Durrësit në maj të vitit 2018, nga persona që ende sot nuk janë identifikuar. Siç u raportua më herët, këto dokumente të vjedhura ishin dosje korrupsioni, që lidhen me pronat, mes të cilave edhe ajo e abuzimit me pronat dhe plazhet publike në Ishëm dhe te Gjiri i Lalzit, ku u arrestuan dhe katër ish-zyrtarë të shtetit, mes të tyre dhe ish-kryetari i Komunës Ishëm. Ishte pikërisht kjo çështje, që e vuri prokurorin Arjan Ndoja në qendër të opinionit publik ditëve të fundit. Ndoja urdhëroi arrestimin e kreut të Kadastrës, Liridon Pula me akuzën se ka tjetërsuar pronat në bregdet. Ishte fillimisht kryeministri Edi Rama, i cili nga foltorja e Kuvendit tha se një prokuror në Durrës, por pa i përmendur emrin është i lidhur me bandat kriminale, e ndërsa më pas zv.kryeministri Erion Braçe, i cili ndoqi nga afër seancën gjyqësore nga Liridon Pulës, sipas së cilit tha se ai arrestim ishte një presion nga ana e Ndojës për disa vjedhje të tjera, të mëdha shumë të rënda, në kohë të ndryshme në zonën e Gjirit të Lalzit.