Prokuroria e Durrësit ka rënë sërish pre e grabitjes për herë të dytë brenda muajit. Mësohet se persona të maskuar janë futur gjatë natës në ambientet e Prokurorisë dhe kanë marrë disa dokumente, ndërsa burimet i thanë Report Tv se dyshohet të jenë dosje korrupsioni, që lidhen me pronat. 

Burime të Report Tv bëjnë me dije se është grabitur zyra e prokurorit të Task Forcës, Afrim Shehu, ku autorët kanë marrë dokumente me rëndësi, dosje origjinale hetimore, si dhe kompjuterin e prokurorit dhe të oficerit të policisë gjyqësore. 



Dritaret nga mbrapa prokurorisë nga ku hynë autorët

Ngjarja është konstatuar mëngjesin e sotëm nga pastruesja e Prokurorisë, e cila ka njoftuar rojën dhe më pas është vënë në dijeni policia, ku nga hetimet e para ka rezultuar se grabitësit janë futur nga dera e pasme e institucionit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:39
VD/Kaluan nga tarraca e gjeneratorit, u futën në Prokurori nga dritarja/Si u grabit zyra e prokurorit të Durrësit

Rrethana misterioze shoqërojnë grabitjen e pazakontë të ambienteve të brendshme të Prokurorisë së Durrësit. Autorët, të cilët dyshohet se janë më shumës e dy, kanë përdorur anën e pasme të Prokurorisë, në të cilën nuk ka kamera sigurie. Ata janë ngjitur në tarracën e gjeneratorit që ndodhet pranë Prokurorisë dhe nga aty kanë kaluar në institucionin e Akuzës. 

Më pas, autorët kanë shfrytëzuar dy dritare të vogla në anën e pasme të Prokurorisë, mbi tarracën e gjeneratorit. Në pak sekonda ata janë gjendur brenda ambienteve të brendshme të Prokurorisë.


(Dritaret nga u futën autorët)

Pas bastisjes së zyrave të një prokurori dhe oficerit të policisë gjyqësore, ku kanë marrë dosjet e korrupsionit dhe krimit, autorët kanë marrë edhe serverin e kamerave të sigurisë për të fshirë gjurmët. Roja i sigurisë private nuk ka pikasur asgjë.

Kjo ngjarje vjen vetëm një ditë pasi në Gjykatën e Vlorës një person i sapodënuar me 3.4 vite u arratis, gjë e cila tregon edhe njëherë tjetër mungesën e sigurisë në Prokurori dhe Gjykata ku përgatiten dosjet dhe dënohen elementë të inkriminuar.

Një pjesë e madhe e institucioneve të drejtësisë ende nuk kanë skaner për kontrollin e personave që hyjnë në to, të cilët mund të ketë armë zjarri apo dhe thika, duke vënë kështu në rrezik jetën e prokurorëve dhe gjyqtarëve. 

Ora 10:44
Bastisja e zyrave, Prokuroria e Durrësit: Autorët grabitën zyrën e prokurorit, morën dhe serverin e kamerave

Prokuroria e Durrësit ka reaguar pas grabitjes së zyrave të saj orët e para të mëngjesit të sotëm.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, organi i akuzës së qytetit bregdetar sqaron se autorët kanë grabitur zyrën e një prokurori dhe të një oficeri të policisë gjyqësore, ndërsa më pas kanë marrë serverin e kamerave të sigurisë për të humbur gjurmët.

Ndërkohë burime për Report Tv bënë të ditur se në hetime për zbardhjen e ngjarjes është përfshirë edhe Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH).

Reagimi i plotë:
Me date 24.05.2018 ne oren 06:30 nga ana e punonjesve te prokurorise se rrethit Gjyqesor Durres është konstatuar se ne ambientet e prokurorise, persona te paidentifikuar, me sende te forta kane hapur deren e Zyres se Serverit ku kanë demtuar dhe marre pajisje elektronike qe regjistrojne kamerat e sigurise, etj.

Po keshtu eshte konstatuar se keta persona kane hapur me force edhe zyren e nje prokurori dhe nje zyre te ofocereve te policise gjyqesore. Ngjarja ka ndodhur gjate oreve te vona te nates kur Godina e Prokurorise ruhej nga punonjesit e Policise Private.

Lidhur me rastin eshte regjistruar procedimi penal per nenet 293/c/2 dhe 313/a dhe 333/a dhe 334 i Kodit Penal dhe po kryhen veprime intensive nga grupi hetimor ne lidhje me percaktimin e faktit dhe identifikimin e autoreve te vepres.

Ora 08:57
Nga Llalla, Gina-Gashi deri tek 'Ishmi', dosjet e bujshme që u hetuan nga Prokuroria e Durrësit

Prokuroria e Durrësit ka rënë pre e grabitjes gjatë natës së kaluar, ku dyshohet se janë marrë disa dosje korrupsioni nga zyra e një prokurori dhe një oficeri të policisë gjyqësore. Organi i Akuzës së Durrësit është grabitur për herë të dytë brenda muajit maj, ndërsa është një ndër organet më të rëndësishme të drejtësisë në vend, teksa ka iniciuar një sërë dosjesh të bujshme.

Prokuroria e Durrës ka hetuar dosjen e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, e cila vetëm pak kohë më parë është transferuar te Krimet e Rënda. Një tjetër dosje e rëndësishme e hetuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës është edhe ajo e çiftit Gina-Gashi. Prokurorët Dritan Gina dhe Rovena Gashi kanë qenë subjekt hetimi në këtë institucion, deri pak ditë më parë, kur dosjet e tyre kaluan në Prokurorinë e Fierit.

Gjithashtu, Akuza e Durrësit ka në dorë një tjetër dosje mjaft me rëndësi, siç është ajo e abuzimit me pronat dhe plazhet publike në Ishëm dhe te Gjiri i Lalzit, ku u arrestuan dhe katër ish-zyrtarë të shtetit, mes të cilëve dhe ish-kryetari i Komunës Ishëm.

Dosja e 613 kg kokainë të kapura në Maminas, e cila ditët e fundit është kthyer në vëmendjen e politikës, po hetohet nga Prokuroria e Durrësit. Vetëm pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama bëri një deklaratë të fortë, teksa u shpreh se zyrtarët më të lartë të PD kanë lidhje me 613 kg kokainë.

Këto dhe shumë dosje të tjera të bujshme kanë kaluar apo po kalojnë në duart e prokurorëve të Prokurorisë së Durrësit, të cilët po tentojnë të hedhin dritë mbi dosjet e abuzimeve dhe të korrupsionit, ku të përfshirë janë zyrtarë të lartë të shtetit. 

Ora 08:40
EMRI-FOTO/ Kush është prokurori që ju grabit zyra në Durrës, çfarë i morën autorët

Report Tv ka zbardhur detaje detaje të reja lidhur mbi grabitjen e Prokurorisë së Durrësit, gjatë natës së kaluar. Report Tv mëson se është grabitur zyra e prokurorit Afrim Shehu.


Me rreth të kuq prokurori Afrim Shehu

Autorët kanë marrë gjithçka nga zyra e prokurorit, si kompjutera, dosje, si dhe çfarë kishte në kasafortën e tij. Afrim Shehu është zgjedhur kohët e fundit si prokuror i Taks Forës, që heton të gjithë zyrtarët me probleme, si dhe rastet e abuzimit dhe korrupsionit të pushtetarëve.