Atentati në Vlorë/ Motra e Matës: Më tha 'jam djali i mirë, mos ki frikë për mua'

28 Maj 2019, 14:47 | Përditesimi i fundit: 2019-05-28 18:33:13

Vrasja e avokatit grek rikthehet sërish në qendër të vëmendjes së medieve, jo vetëm shqiptare, por edhe atyre greke. Shkak është bërë atentati i djeshëm të një prej autorëve kryesor të dyshuar, Eno Matanë qytetin e Vlorës. Motra e 32-vjeçarit, Iliana ka dhënë  një intervistë për mediet e shtetit helen në të cilën ka zbardhur telefonatën e fundit me vëllanë, e ndërsa thekson se familja e ka mohuar atë si djalin e tyre. "Për ne zëre se ka vdekur, po vuajmë vdekje të dytë në shtëpi", u shpreh ajo.

Familja e Matës aktualisht ndodhet në Greqi, e ndërsa ai qëndronte i vetëm në Shqipëri. Për shkak se nëna e tyre kishte kombësi greke, e gjithë familja, përveç Aleksandros, siç ato e thërrasin, nuk mundi t'i merrte dokumentet, për shkak se ishte i arrestuar në lidhje për një sërë grabitjesh.

“Për përfshirjen e tij në vrasjen e avokatit e kam marrë vesh dje nga mediet. Para dy javësh, konkretisht e shtunë, më ka marrë në telefon.  Më tha që jam djalë i mirë, mos u shqetësoni. Jam në fshat, rri e qetë. Bëhet fjalë për fshatin Poro, ku kemi shtëpinë. Gjithnjë kemi pasur frikë për të, pasi është atje pa lekë, pa përkrahje. Nëna jonë ka kombësi greke dhe ne kemi të gjithë dokumentet greke përveç Aleksandros. Ai nuk i mori dot se ishte arrestuar për grabitje. Ai nuk arriti të betohej kështu që ngeli shtetas shqiptar dhe menjëherë pas përfundimit të dënimit e shoqëroi policia në kufi dhe e lanë aty pa lekë", u shpreh Iliana.