Atentatorët ‘policë’ thirrën emrin e mikut të Martinajt! Djali i biznesmenit: Mos ma vrisni vëllanë

2 Qershor 2020, 14:11

Bujar Hasani Lika u ekzekutua më 30 maj në lokalin e vëllait të tij në Laç së bashku me biznesmenin Paulin Markaj alias Gjergji. Një nga atentatorët e dyshuar, Kreshnik Tusha i cili u plagos me armën që Lika mbante me vete,  ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë,  dhe rezulton i dënuar me 1 vit burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”. Ditën e mërkurë një prokuror dhe një gjyqtar do të paraqiten në spital  për t’i caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

Tre dëshmi, ajo e banakierit të lokalit dhe dy djemve të viktimës Paulin Gjergji, japin të dhëna mbi karakteristikat e katër personave që morën pjesë në këtë atentat mafioz, por nuk qartësojnë identifikimin e tyre.

Djemtë e biznesmenit të kazinove Paulin Gjergjit, të cilët ishin në makinë jashtë lokalit, të tronditur nga kjo ngjarje shumë e rëndë ku panë mënyrën e ekzekutimit të babait të tyre, treguan në polici se kishin vetëm pak minuta që ndodheshin në parkingun e Bar-Restorant “A&A” në Mamurras të Laçit.

Sipas tyre të dy kanë qëndruar në makinë, ndërsa babai ka hyrë brenda pasi kishte lënë një takim me Bujar Hasanin, ku sipas tyre do diskutonin për një çështje ende të pazgjidhur.

Djemtë 27  dhe 21-vjeçar kanë pohuar se pa ka kaluar shumë kohë nga hyrja në lokal e babait, shumë shpejt janë shfaqur 4 persona që kanë zbritur nga një makinë, të veshur si policë me veshje të FNSH-së dhe të maskuar. Dy vetë kanë hyrë brenda në lokal, ndërsa 2 të tjerë kanë shkuar në drejtim të makinës ku ndodheshin djemtë e biznesmenit Paulin Gjergji. Kuptohet qartë se atentatorët kanë pasur informacion të saktë se me cilin person ndodhej Bujar Lika, dhe për më tepër kanë pasur të dhëna se biznesmeni Paulin Gjergji, ishte në praninë e djemve të tij. Frika se mos vallë pas sulmit me armë në brendësi të lokalit, do të kishte një kundërpërgjigje nga dy djemtë e Paulin që qëndronin jashtë, ka bërë që katër personat e veshur si policë të ndahen, ku dy kanë qëndruar jashtë dhe kanë mbajtur të neutralizuar djemtë, duke iu prezantuar si polici dhe kanë filluar t’i kontrollojnë fizikisht.