Dy autorë shqiptarë janë vlerësuar së fundmi në Itali për veprat e tyre me çmimin special ndërkombëtar të ekselencës “Divinamente Donna 2025”. Bëhet fjalë për Suela Boçin me librin e saj “Optika Ndaj Cenimit të të Drejtave të Nxënësve” dhe Ndue Dragushën për prozën “Dashuria e një Gruaje”.
Aktiviteti i ndarjes së çmimeve u organizua në Senatin e Republikes Italiane në Romë, ku salla me afresket e çmuara artistike të Federico Zuccari-t ishte mbushur me praninë e pjesëmarrësve, figura prestigjioze të ftuarish nga Italia dhe vende të ndryshme të botës.
Për Boçin, juria nënvizoi se me veprën e saj ka synuar të rrëfejë mbi natyrën e dhunës ndaj nxënësve në shkolla, duke u ndaluar në forma të shfaqjes së saj, në arsyet, pasojat, qëndrime, alternativa ndaj dhunës kundrejt tyre etj.

















